E kthyera nga Siria e pranon gabimin, megjithatë dënohet me dy vjet e gjysmë burg me kusht

Pasi ka pranuar fajësinë, Merita Aliu është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim me kusht, për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës prej tre vjetësh.

Para se gjykatësi Valon Kurtaj ta shpallte aktgjykimin ndaj saj, e akuzuara ka thënë se ndihet fajtore dhe se pendohet për shkuarjen e saj në Siri.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem, mirëpo jom pendu shumë. Prej kur jom kthy kom thanë se jom pendu dhe se një gabim të tillë me kthy kohën nuk e kisha bërë asnjëherë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka kërkuar një dënim më të ultë, duke thënë se përpjekja e saj është ri-integrimi në shoqëri dhe një jeteëse normale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e ngarkonte të akuzuarën Merita Aliu, se ka kryer veprën penale “organizmi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës.

Sipas aktakuzës, ajo akuzohej se më 1 korrik 2016, kishte kaluar pikën kufitare në Maqedoni, prej nga kishte udhëtuar në Turqi, e më pas në Siri, me qëllim të pjesëmarrjes në grupe terroriste.

Në aktakuzë thuhet se ajo u ishte bashkuar grupeve terroriste “Al Nusra” dhe “ISIS”, deri më 10 dhjetor 2017.