Dyshime për korrupsion në ministrinë e Pal Lekajt: U paguan dy ura, por nuk u ndërtuan

Krerët më të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit mund të jenë përfshirë në një rast korruptiv që ka të bëjë me asfaltimin e një rruge në Komunën e Fushë Kosovës.

Rruga Bardh i Madh–Lismirë është inauguruar në gusht të këtij viti. Kjo rrugë e re që është e gjatë rreth 3.5 kilometra mund të bëhet shkak që dikush nga Ministria e Infrastrukturës të përfundojë në bankën e të akuzuarit.

Nga burimet e veta, lajmi.net ka mësuar se për këtë projekt, MIT ka bërë disa pagesa për punët që nuk janë kryer.

Bëhet fjalë për pagesat e dy urave të vogla, të cilat kanë qenë të parapara me projekte, ose siç quhet sipas projektit “lëshesat pllakore”. Po ashtu, nuk është bërë as disniveli i rrugës, i paraparë sipas kontratës, ndërkohë që janë kryer pagesat.

“Ndërtimi i rrugës Bardh i Madh – Lismir, Fushë Kosovë, L=3,521.00m” ishte tenderuar në fund të vitit 2017. Kontrata është nënshkruar me grupin e kompanive N.N.T. “Milazim Shala” & Npsh “Bageri”. Çmimi i kontratës ka qenë 434.013,57 euro.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj e përuroi projektin e ri më 2 gusht 2019, bashkë me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berisha. Më pas, sekretari i ministrisë, Betim Reçica ka mandatuar komisionin për pranimin teknik për këtë projekt në përbërje prej tre anëtarëve, Ardian Begaj -anëtar dhe Skënder Uka – anëtar. Pasi ka dalë në terren, ky komision e ka hartuar një raport ku në të ka shkruar se mungojnë dy urat (lëshesat pllakose) si dhe disa pozicione tjera nuk janë të kryera sipas projektit. Të njëjtin e raportuan para disa muajve, komisioni e ka dorëzuar në emalin e ministrit Pal Lekaj dhe sekretarit, Betim Reçica. Por, për autoritet të ministrisë, raporti nuk ka qenë i pranueshëm.

Më datën 17 dhjetor 2019, lajmi.net ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare ku ka kërkuar të gjitha pozicionet e paguara lidhur më këtë projekt, si dhe shumën e paguar për to. Zyra e informimit e kësaj ministrie nuk ka kthyer përgjigje.

Një ditë me vonë, më datë 18 dhjetor, pas interesimit të lajmi.net, Ministria e Infrastrukturës e ka formuar një komision të ri për pranimin teknik të rrugës Bardh i Madh-Lismir.

Siç ka mësuar lajmi.net, komisioni i ri i përbërë prej Nebi Luzha, Isa Berisha dhe një tjetër anëtari, e kanë bërë pranimin teknik brenda dy ditëve, më datë 20 dhjetor.

Menaxher i kontratës ka qenë Sadri Jaha.

Sipas dokumentit, “paramasa dhe parallogaritë” që i ka parë lajmi.net shihet se janë keqpërdorur mbi 100 mijë euro.

Janë paguar dy ura, ndërkohë që asnjëra nuk është ndërtuar sipas projektit. Mbi atë të vjetrën është shtruar vetëm asfalt, ndërsa në tjetrën është bërë një improvizim me një gyp të betonit. Për dy urat e vogla, ose ndryshe të quajtura lëshesat pllakose, siç ka mësuar lajmi.net janë paguar rreth 20 mijë euro.

Ndërkohë, sipas projektit të ministrisë, konkretisht sipas paramasës dhe parallogaritë për konstruksionin e trasesë së rrugës kanë qenë të parapara tri pozicione me nga 29,965.82 euro, ose të tria në vlerë prej 89,897.46 euro. Pra ishte paraparë punimi i mbushjes dhe stabilizimi me material guror jokoherent që do ta ngriste nivelin e rrugës. Por, kontraktori i ministrisë ka vendosur vetëm asfaltin mbi rrugën ekzistuese.

Më poshtë mund të shihni Paramasat dhe Parallogaritë e këtij projekti. Sipas informacioneve që i ka marrë lajmi.net dhe gjendjes që shihet në terren, pozicionet me ngjyrën e verdhë janë paguar, por nuk janë punuar.