Dyqanet në veri u hapën, import nga Serbia nuk ka – nga po vijnë “mallrat që mungonin” në veri?

Dyqanet në veri të Kosovës janë hapur sot – dy ditë pas mbylljes së tyre.
Kriza e inskenuar humanitare në veri zgjati vetëm dy ditë, për aq sa edhe bizneset serbe në atë pjesë të Kosovës qëndruan të mbyllura, shkruan lajmi.net.

Banorët serbë të veriut ankoheshin se nuk po kanë se ku të blejnë ushqim për shkak të mungesës së tyre, e biznesmenët ankoheshin se nuk po kanë nga të marrin mallrat.

Qeveria e Kosovës, tha se kjo ishte thjeshtë një lojë e përgatitur nga Qeveria e Serbisë me qëllim të heqjes së taksës 100 për qind që Kosova e ka vendosur ndaj mallrave serbe.Serbët u ankuan edhe për mungesë të barnave e mbyllje të barnatoreve, por kjo u demantua nga Ministria e Shëndetësisë.

Qeveria e Kosovës organizoi disa pika të shitjes në veri ku qytetarët do të mund të furnizoheshin me produktet ushqimore që pretendonin se u mungonin.Por, me të parë këtë vendim të qeverisë, biznesmenët serbë vendosen që t’i hapin përsëri dyqanet e tyre dhe t’iu shesin ushqim banorëve të komunitetit të tyre.

Por, nga po vijnë mallrat “që mungonin”?!Lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësin e doganave, Adriatik Stavileci për të diskutuar në lidhje me këtë çështje dhe ai tha se ka import minimal.

“Mallra serbe ka import minimal, deri tash kemi rreth 3 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar për kohën e njëjtë në vitin 2018 që ka qenë 200 milionë”, tha Stavileci.

Gjithashtu ai tha se nuk ka pasur raste ku është tentuar të futen mallra ilegalisht ose nëpërmjet kontrabandës dhe se fluksi është i ulët.“Dhe deri më sot nuk kemi pasur raste që kanë tentuar të futen ilegalisht ose raste të kontrabandimit. As ditëve të fundit nuk ka pasur fluks, ka qenë gjithçka normal”, tha Stavileci për lajmi.net.

Biznesmenët serbë kanë kërcënuar institucionet e Kosovës se nëse kjo situatë vazhdon atëherë sipas tyre: “gjërat mund të shkojnë në rrugë pa kthim”.

Por, edhe pas komunikatës ku tregohet se do të hapen dyqanet, ata nuk e bënë të qartë se nga i morën mallrat e fshehura.Ndërkohë, vlen të theksohet se ka pasur zëra që mallrat janë fshehur nga dyqanet dhe stoqet nëpër shtëpi dhe depo të ndryshme në atë pjesë të Kosovës.

SHPËRNDAJE