Dy zyrtarë të EULEX-it të përfshirë në operacionin e Policisë në veri

Ditë më parë, Policia e Kosovës arrestoi një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë në veri, të cilët dyshohet se ndërlidhen me kontrabandën e krimin e organizuar.

Gjithësej 19 zyrtarë policorë u arrestuan ditën e parë të operacionit në veri, ndërkaq që edhe persona të tjerë u arrestuan në ditët pasuese, shkruan lajmi.net.E mediat serbe shkruajnë sot se në hetimet për gjetjen e të dyshuarve, kanë qenë të përfshirë edhe dy zyrtarë të EULEX-it.

“Blici” serb shkruan sot se lista e personave për arrestim e Policisë së Kosovës përmbante 46 emra, në mesin e të cilëve 25 janë serbë, 20 prej tyre policë të njësive të ndryshme dhe pesë civilë. Ndërkaq pjesa tjetër prej 21 personave sipas këtij medium janë shqiptarë dhe boshnjakë.Po ashtu sipas këtyre burimeve, hetimet lidhur me këtë rast nga institucionet e Kosovës kanë filluar qysh në muajin prill të vitit të kaluar.

“Prokuroria ka edhe dëshmitarë të policisë së Kosovës të cilët janë të mbrojtur. Dy zyrtarë të EULEX-it kanë qenë të përfshirë në të gjithë operacionin”, citon medium serb burimet e veta.Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të caktohet edhe masa e sigurisë për të arrestuarit.

Prokurori special, Syla Hoxha ka thënë se ndaj të njëjtëve do të kërkohet paraburgim pasi që ka fakte të mjaftueshme.