Dy të dyshuarit e kthyer nga Siria mbesin në paraburgim

Dy persona të kthyer nga Siria ende po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Gjykata e Apelit duke vendosur në dy raste të ndara, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurve A.M. dhe V.Q.

“I pari po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale, për veprën penale: “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, të paraparë më nenin 3 par.3 të Ligji Për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të vendit. Ndërsa V.Q. për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, njofton Gjykata e Apelit.Në këtë mënyrë Apeli ka lënë në fuqi dy aktvendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 21.04.2019, sipas të cilave masa në fjalë u është caktuar deri më 20.05.2019.

Gjykata e Apelit ashtu sikurse gjykata e shkallës së parë, vlerëson se ka bazë të mjaftueshme ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve në fjalë, ashtu siç kërkojnë dispozitat e nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.