Drejtuesit e VV-së takojnë eurodeputetët Fajon e Fleckenstein

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i përbërë nga Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, është pritur në takim edhe nga eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein.

Tanja Fajon është anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhënie me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa Knut Fleckenstein është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Të dy bashkë janë pëfaqësues të lartë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.

Sipas një komunikate shtypi të lëshuar nga VV, në këtë takim u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re bazuar mbi këto rezultate. Delegacioni i njohu eurodeputetët me prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me faktin që tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i votuar në Kosovë me 32 deputetë në Kuvendin e ardhshëm.

“Eurodeputetët e përgëzuan delegacionin për këto rezultate duke diskutuar gjithashtu edhe për një bashkëpunim më të afërt dhe më intensiv mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe social-demokratëve të Parlamentit Evropian”, thuhet në njoftimin për medie të VV-së.

Delegacioni i Vetëvendosjes do të vazhdojë edhe sot takimet në Bruksel.