Drejtuesit e dy kompanive publike, KEK-ut dhe Ujësjellësit Rajonal Prishtina mbeten të shqetësuar nga debati i fundit për shkëmbim të territoreve me Serbinë. Këto dy kompani dhe fabrika Ferronikeli furnizohen drejtpërdrejt me ujë nga liqeni i Ujmanit, dhe asnjëra prej tyre nuk mund të funksionoj pa këtë ujë.
Për këtë drejtori i përgjithshëm i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu kërkon që liqeni i Ujmanit të ruhet, sepse është pjesë e Kosovës, por gjithashtu thotë se nuk ka asnjë alternativë tjetër për furnizim me ujë në fabrikën e Shkabajt e cila ka kushtuar hiq më pak se 32.5 milionë euro, mjete këto të taksapagueseve kosovarë, nga Komisioni Evropian dhe Banka Gjermane.
Ai ka thënë për KosovaPress se rëndësia e Ujmanit për kompaninë, shtetin, por edhe për popullatën është shumë e madhe, sepse bënë furnizimin me ujë për Mitrovicë, Skenderaj, Drenas dhe tash pjesën e Prishtinës.
Mirëpo, përveç furnizimit me ujë të pijes që bënë për konsumatorëve të shumtë, liqeni i Ujmanit bënë edhe furnizimin industrial për termoelektranat e dhe për Ferronikelin, njëkohësisht shërben edhe për ujitjen e mijërave tokave bujqësore në vend.
“Ky liqe është pasuri e Kosovës dhe ashtu duhet edhe të mbetet. Kjo fabrikë pa këtë liqe nuk mund të funksionoj. Është një fabrikë, që është lëshuar në vitin 2017 dhe kemi tash një furnizim 24 orë me ujë… Para tri vjetësh kemi bërë edhe një tentim dhe një mbushje të liqenit të Badovcit, ose kyçje nëpërmjet kanalit të Ibër Lepencit dhe pompave në Çagllavicë. Pra, është paraparë qysh vite më parë që në kohën kur liqeni i Badovcit mbetet me nivele minimale, të furnizohet nga liqeni i Ujmanit. Andaj, edhe atë situatë ne duhet ta menaxhojmë dhe të punojmë në atë drejtim për arsye se thatësirat mund të paraqiten”, ka thënë Abdullahu.
Drejtori i Ujësjellësit ka theksuar se tema për shkëmbim territoresh është shqetësuese, sepse kjo kompani tash për tash merr 500 litra ujë në sekondë nga liqeni Ujmanit. Abudllahu ka thënë se fabrika e ujit në Shkabaj me ujin e Ujmanit ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm në Prishtinë dhe më gjerë.
“Si kompani çdo çështje që ngritët në këtë drejtim, është edhe shqetësuese, por ne dëshirojmë që të mos mbërrijmë në atë nivel që të mos e kemi atë ujë… Kompania jonë tash për tash merr rreth 500 litra ujë në sekondë, ndërsa kapaciteti prodhues i saj është 700 litra në sekondë… Kjo fabrikë përveç që ka zgjidhur furnizimin me ujë 24 orë e ka japë edhe një siguri… Mbi të gjitha kemi një ujë me një kualitet të lartë për arsye se fabrika që jemi këtu tash, është prej më moderneve që është ndërtuar dhe që ka regjionin. Kjo është e mirë, do ta ruajmë, por pa ujë nuk punohet”, ka thënë ai.
Ndërsa, Skënder Bucolli drejtor në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetin në Korporatën Energjetike të Kosovës(KEK) ka thënë për KosovaPress, se liqeni i Ujmanit ishte ndërtuar për furnizim me ujë këtë korporatë dhe pa këtë liqe nuk mund të funksionojnë termocentralet e KEK-ut.
“Na lejoni të ju njoftojmë se sa i përket furnizimit të përhershëm të TC Kosova B dhe gjatë periudhave verore të TC Kosova A me ujë, KEK ka kontratë me Iber Lepencin për furnizim me ujë nga liqeni artificial i Ujmanit. Përndryshe, Termocentralet nuk mundë të funksionojnë pa ujë, ndërsa mundësia e vetme reale për furnizim të TC Kosova B është liqeni Ujmanit, i cili edhe ishte ndërtuar për atë destinim”, ka thënë Bucolli.
Ujësjellësi Prishtina dhe KEK-u janë të kontraktuar për shërbimin e ujit me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, por zyrtarë të kësaj të fundit edhe pse janë kontaktuar nga KosovaPress nuk janë përgjigjur lidhur me këtë temë.
Drejtori i Ujësjellësit, Ilir Abdullahu ndër të tjera ka thënë se liqeni i Ujmanit, është një ndër pasuritë më të mëdha të Kosovës, ku janë 9.2 kilometra katrorë të pasqyrës së ujit apo të sipërfaqes së liqenit që gjendet në territorin e Kosovës, ndërsa 2.7 kilometra janë në pjesën e Serbisë.