Drejtori i Policisë s’mund t’ua ndalojë policëve praktikimin e fesë

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ndër deklaratat e para pas marrjes së kësaj pozite, kishte thënë se policëve nuk do t’u lejohet që gjatë orarit të punës t’i frekuentojnë objektet fetare. Kjo deklaratë bëri bujë të madhe në opinion.

Por njohës të çështjeve kushtetuese thonë se drejtori i Policisë nuk ka të drejtë t’ua ndalojë një gjë të tillë.

Liria e besimit është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 38 i saj flet pikërisht për këtë fushë.

“Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar”, thuhet në pikën 1 të këtij neni.

Pika dy e të njëjtit nen e njeh të drejtën e secilit për të shfaqur bindjet personale për fenë.

“Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie ose grupi fetar”, thuhet aty.

Kushtetuta po ashtu e njeh të drejtën e secilit për ta praktikuar fenë.

“Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj”, shkruan në pikën 3 të nenit 38 të Kushtetutës.

Megjithatë, Kushtetuta e njeh edhe kufizimin e manifestimit të fesë, por kjo duhet të bëhet përmes ligjit, duke dhënë arsye të fortë.

“Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”, sqarohet në pikën 4 të nenit 38 të Kushtetutës.

Nga kjo del se drejtori i Policisë së Kosovës nuk ka të drejtë t’ua ndalojë pjesëtarëve të policisë praktikimin e fesë, qoftë edhe gjatë orarit të punës.

Pavarësisht kësaj, Këshilli për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i dha mbështetje drejtorit të Policisë.

“KMDLNj shprehu përkrahjen për vendimin që zyrtarët policorë gjatë orarit të punës të mos frekuentojnë tempujt fetarë të uniformuar, por këtë të drejtë ata mund ta realizojnë jashtë orarit të tyre të punës. Gjithashtu, ndalesa e qëndrimit të zyrtarëve policorë në kafenetë është veprim i duhur dhe ndikon që policët të jenë më të pranishëm në rrugë dhe vendet e tyre të punës për çka edhe janë të thirrur”, thuhet në njoftim.

Sipas njohësit të çështjeve kushtetuese, Durim Berisha, e drejta e besimit mund të kufizohet por jo të ndalohet.

“E drejta e manifestimit të besimit mund të kufizohet vetëm me ligj nga Parlamenti dhe atë nën arsyetimin e cenimit të rendit publik. Mund të kufizohet, jo ndalohet”, ka thënë Berisha për FaktePlus.

Por Berisha ka thënë se kufizimi i lirive fetare nuk guxon ta cenojë esencën e saj.

“Por kufizimi i lirive dhe të drejtave themelore nuk guxon ta cenojë esencën e asaj lirie dhe të drejte themelore t’u e marrë parasysh që falja e namazit është obligim përmes të cilit individi e përcakton veten si pjesë e një grupi fetar, atëherë cenohet esenca e asaj lirie dhe të drejtë themelore”, ka vlerësuar ai.

Në këtë drejtim, Berisha thotë se ndalimi i faljes së namazit e cenon lirinë e besimit.

“Pra, nëse dikujt i ndalohet falja e namazit, ai nuk ka më liri të besimit, pra nuk ka të bëjë me kufizim, por me mohim të asaj të drejte”, ka shtuar Berisha.

Sipas Berishës, drejtori i Policisë së Kosovës nuk ka të drejtë t’ua ndalojë pjesëtarëve të policisë praktikimin e fesë.

“Drejtori i Policisë nuk ka kompetencë ta bëjë një gjë të tillë, por Parlamenti me ligj organik dhe në të cilin arsyetimi i kufizimit duhet të jetë konkret, jo paushall dhe jo abstrakt se deri në ç’masë kufizohet, të arsyetohet me rrezikun konkret që po vjen si shkak p.sh. i faljes së namazit nga policët”, ka sqaruar Berisha.

Berisha ka thënë se Kushtetuta e ka paraparë këtë gjë për dy qëllime.

“Mirëpo, norma e tillë në fakt është shkruar asisoj për dy qëllime: mbrojtja nga grupet ekstremiste; mbrojtja e parimit të neutralitetit të shtetit (i cili sipas vendimeve të 20 vjetëve të fundit nënkupton qasjen neutrale të shtetit në financimin e grupeve fetare)”, ka thënë tutje Berisha për FaktePlus.