Drejtori i DASH në takimin me Ruçin: Vetting-u do vijojë të mbështetet fort nga SHBA

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në takim David Kostelancik, Drejtor për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ruçi i shprehu Kostelancik mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA për Shqipërinë, shkruan topchannel.

Duke u ndalur në kontributin e ShBA-së në reformën në drejtësi, Ruçi nënvizoi se kjo reformë nuk do të ishte e mundur pa këtë mbështetje.

Drejtori David Kostelancik vuri në dukje se Ballkani është me rëndësi jetike për ShBA, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Sekretarin Pompeo.

Ai nënvizoi gjjithashtu mbështetjen e ShBA për reformën në drejtësi, me fokus të veçantë rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve: “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga ShBA.”

Kostelancik vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe  rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se shumica qeverisëse dhe ai personalisht janë të angazhuar për kryerjen e reformës zgjedhore dhe për këtë do të bashkëpunojë edhe me opozitën parlamentare e joparlamentare, e cila ka të drejtën e vetos në komisionin e ri të reformës.

SHPËRNDAJE