Draft-platforma iu dorëzohet nesër krerëve të shtetit

Ekipi negiociator pas disa orë punimesh sonte ka përfunduar tekstin e draft-platformës për dialogun me Serbinë dhe nesër do t’ua dorëzojë për shqyrtim krerëve të shtetit, pas të cilit do të dërgohet për miratim edhe në Kuvend. Kjo është bërë e ditur pas takimit nga bashkëkryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj. “Ajo që kemi ardhur në përfundim është që nesër, teksti është i përfunduar, do t’ia dërgojmë krerëve të shtetit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe presidentit nëse kanë edhe ata ndonjë koment rreth tekstit të platformës dhe pasnesër delegacioni i Kosovës përfundimisht do ta miratojë projekt-platformën dhe do ta dërgojë për parlament”, tha Limaj. Ai tha se pas marrjes së vërejtjeve ose sugjerimeve lidhur me platformën për dialogun nga ana e krerëve të shtetit, do ta dërgojë atë në Kuvend, për çfarë shprehu besimin se deputetët njëherësh edhe do ta miratojnë. Limaj po ashtu tha se draft-platformën finale do t’ua dërgojnë edhe dy partive opozitare, LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat nuk kanë pranuar të jenë pjesë e ekipit negociues për dialogun me Serbinë.
SHPËRNDAJE