Dosja e Shefave X: Grabovci-Veselit: Ti i merr vendimet, unë i zbatoj

Në periudhën kohore prej dy muajsh, Grabovci flet shpesh me Veselin në telefon. Mirëpo, Veseli është shumë i kujdesshëm në ato që thotë. Nuk përmend emra, nuk përmend institucione, e as veprime që do të mund t’i faturoheshin si ndërhyrje direkte.

Gjuha e tij është e koduar.

Grabovci i raporton vazhdimisht për zhvillime Veselit, nga vizita në Bruksel, deri tek dështimi në Kuvend për të votuar Ligjin për Prizrenin. E, kur flasin për këtë dështim, Veseli e “kërcënon” dhe qorton Grabovcin se do ta shkarkojë nga pozita e kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ata flasin për dy pozita të larta në institucione, por nuk ua përmendin emrat. Vetëm në një rast, Grabovci e përmend një emër – Agronin. Nuk dihet nëse flasin për Agron Mustafën, apo Agron Thaçin, drejtorin e Infrakosit.

Në një rast tjetër, Veseli i thotë Grabovcit se është mirë “me ec ai djali që folëm dje për të”.

“Ta çova ni sms, a din që e lamë e… me bisedu. Dëgjo i lam n’sistem le t‘ec ai djali ma mirë. Ngom mu se ti ki me thanë mirë e ke pas, a e kupton? Ai djali që pijtum kafe dje, a e kupton? Le ta vazhdon, po hajt se… ma mirë o. Ngom mu, muna, me ti jep 10 argumente se o ma mirë”, i thotë Veseli Grabovcit në një bisedë të dhjetorit 2011.

E, Grabovci pa asnjë hezitim ia miraton rekomandimin.

“O qysh ta do shpirti ty…”, i thotë ai.

Veseli thotë se ka menduar për shpirt të tij dhe të Grabovcit se kjo është më mirë.

“Paj vallain ngo çka qysh ta do shpirti… menova për shpirt tem e tanin ma mirë o”, sqaron më tej kryetari i Kuvendit.

“Ti i merr vendimet, unë veç i zbatoj”, përgjigjet Grabovci.

Veseli flet për dike tjetër nga i cili druhet se do t’u dhemb kryet të dyve dhe do t’i lodhë.

“Jo jo, a din pse, ti meno, po dëgjo kryet ka me të dhimtë ty edhe mu pej qati edhe veç na lodh, e kem gajle edhe thjesht ma mirë let ec ai…, e shkurt”, vazhdon Veseli.

“A? A po thu? A je edhe ti pro? Se duhesh edhe ti pak me kanë”, e pyet më tej Veseli, Grabovcin.

“O u bo, po vallain hiç s’ta prishi”, përgjigjet shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së. Shefi i tij, Veseli insiston se “ai djali është kuadër i mirë”.

“Hej po dëgjo, ma mirë, ngom mu, se unë menova bash…, e ma mirë mu dok, ma mirë, kuadër ma i mirë osht, ma i aftë, ma ma asii…, n’fund fundit ka deshtë mu vonu let vanohet, e bajt me shnet”, thotë Veseli duke i treguar Grabovcit për të mirat e kandidatit që duhet punësuar dhe dobësitë e kandidatit tjetër që nuk duhet shtyrë përpara.

Në një bisedë tjetër, dy protagonistët e përgjimit flasin edhe për një debat politik të zhvilluar në RTK. Grabovci tregon se si e kishte “mbytur” opozitën e asaj kohe që ishte LDK dhe Vetëvendosje.

“…, mirë o bre… ken kta tre, t’opozitës”, shton Grabovci.

“Hihihi…, a tan tu bonën a? A pshtove bile, a pshtove”, interesohet Veseli.

“Veç n’fund ja lshova, pak ma kshtu, a din, krejt zhag… Ata niher na sulmojshin kshtu, e unë n’fund e përmbylla. Thash, thash mas pari shprehi keqardhje. Thash mirë, thash zotëri Isufi se je opozitë e fortë, do të thotë e mobilizon mirë opozitën që të jetë shumë aktive, po thash fatkeqësisht pozita është shumë e fortë, ndërsa për mos të thom se nuk kemi opozitë fare…”, thotë Grabovci, duke qeshur.

“… Osht, osht një opozitë e brishtë, pa koncept, pa qëllim…”, vazhdon Grabovci.

“… a muren flakë”, e pyet Veseli.

“A jo tani ajo u mbyll”, përgjigjet Grabovci duke vazhduar t’i tregojë Veselin se cfarë ka thënë në debat.

“Jo po përzihet, jo po përzihet Qeveria, po dikton Parlamentin. I thash bashkëpunimin, nuk guxojmë me qujt interferim, thash ajo me Kushtetutë…”, vazhdon tregimin ai.

“Po ajo, osht me Kushtetutë more loptë e kqija thuj, more loptë e…”, e porosit Veseli.

Dështimi për të votuar Ligjin për Prizrenin dhe Hoqën e madhe e kishte nervozuar Kadri Veselin. Këtë ia thotë me telefon, Adem Grabovcit të cilin e quan të papërgjegjshëm. Por, ky epitet nuk i pëlqen shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Shumë i papërgjegjshëm bre Adem, qysh bre Adem me t’votu ata, qysh bre se na”, thotë Veseli.

“Hej, hej, mos um trano. Kur ti qojsh njerzit e pa përgjegjshëm normalisht”, përgjigjet Grabovci. “O pasha…, pa t’shkarku si kryetar i Grupit parlamentar se kisha lanë”, thotë Veseli. Kësaj, Grabovci i përgjigjet me qeshje, derisa Veseli vazhdon qortimin.

“Qysh more, a u bonet budallë”, vazhdon Veseli. “A shkit, shkit kanë votu a”, e pyet më teh ai teksa merr konfirmim se deputetët serbë kanë votuar kundër, sipas tij gabimisht.