Dosja e shefave VI: Nervozizmi i Grabovcit për postin e Arbenita Pajazitit dhe implikimi i Thaçit për Blerim Camajn

Adem Grabovci ishte fortë i kënaqur me shërbimet që po ia kryente, Ilhami Gashi deri në momentin kur një kandidate e preferuar e tij për një pozitë të lartë, kishte dalë e dyta me pikë. Në konkursin për kryeshef të Agjencisë për Produkte Medicionale, Arbenita Pajaziti ishte renditur pas Ilir Dushit. Dushi që kishte fituar, nuk e ka kryer mandatin. Ai është arrestuar nga Policia dhe është shkarkuar nga detyra. Ndërkohë, për pozitën e Drejtorit në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Gashi dhe Grabovci e implikojnë edhe Hashim Thaçi, presidentin e vendit.

Adem Grabovci, ishte bërë fort nervoz kur Arbenita Pajaziti, kishte marrë më pak pikë për kryeshef të Agjencisë për Produkte Medicionale, sesa Ilir Dushi.

Në krye të panelit për vlerësim të kandidatëve ishte Ilhami Gashi.

Grabovci, donte që në këtë pozitë të vinte, Pajaziti – një zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë, e përfshirë në rastin e korrupsionit me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ajo nuk e kishte fituar këtë pozitë të lartë në këtë institucion shtetëror, por Ilir Dushi. Dushi nuk ka arritur që ta përfundojë mandatin. Është arrestuar, paraburgosur dhe shkarkuar nga detyra. Aktualisht po zhvillohet një proces gjyqësor kundër tij.

Në pjesën e dytë të hulumtimit për veprimtarinë e Adem Grabovcit dhe zyrtarëve tjerë të PDK-së, Insajderi sjell tri biseda të reja të Ilhami Gashit dhe Grabovcit që dëshmojnë ushtrimin e ndikimit dhe dallaveret me pozita të larta shtetërore.

Në një rast tjetër, Gashi ishte pjesë e përzgjedhjes së Blerim Camajt, për drejtor të Agjencisë së Regjistrimit Civil. Ai është familjar i afërm i Xhavit Halitit.

Protagonistët flasin edhe për angazhimin e Ilhami Gashit, në Bordin e Universitetit, “Haxhi Zeka” në Pejë.

Grabovci i telefonon Gashit fill pas intervistave të kandidatëve për Agjencinë për Produkte Medicionale. E pyet se si shkoi procedura.

“Kalum mirë, kjo, kjo u kfalifiku veç jo e para”, raporton Gashi.

“E kush i pari”, e pyet Grabovci. Kur merr vesh se Arbenita Pajaziti nuk është e para, i thotë Gashit se “ia paske kajtë nanën”.

“Ehe… ja ke kajt nanën, se s’ke punu me anëtar. I pari Ilir Dushi, e dyta Arbenita, e treta. I treti Jetoni. Për nantë poena, 491, osht.., 480 osht Arbenita edhe 474 osht Jetoni”, vazhdon Gashi, ish-sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kandidat i PDK-së për Komunën e Pejës.

“Jaa… kkk… mener me thanë ma keq kurrë s’kishe punu”, ia kthen Grabovci për ta thirrur në zyrë.

Biseda tjetër ka të bëjë me Blerim Camajn. Ata flasin për një takim që do të zhvillonin me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, nga i cili duhej marrë bekimin për emërimin e Camajt në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Po shkojmë deri n’kryemnistri niherë”, thotë Grabovci, teksa Gashi e porosit se që ta pyet Thaçin, siç i referohet “i madhi” se çfarë të bëjë me Blerim Camajn. .

“Edhe vete, vete pra masi po shkon te shefi për ARC çka me bo… Për, Agjensionin e Regjistrit Civil, që e kom Blerim Camaj. Çka me bo me atë ven… Intervista, intervista osht t’premten edhe vete çka po thotë i madhi”, vazhdon Ilhami Gashi.

“Paj duhet… ti e din qysh jon rrethanat aty”, ia kthen Grabovci.

“Ti fol me t’madhin se ky kryesus… (nuk kuptohet) drejt me ni punë bohet”, sqaron Gashi. Ai pyetet nëse mund ta mbajë Blerim Camajn në garë.

“Po, muj aty tash… intervista o t’premten”, thotë Gashi.

“Kshtu gabime, cilësore s’ka bo jo?”, interesohet Grabovci.

“Cilësore s’ka ba, menaxher nuk o i aftë, po ski çka me bo burrë”, vazhdon Gashi.

“Ëhë, ëhë… hajt se bisedoj, bisedoj, e t’tregoj kur t’shihum”, thotë Grabovci.

Camaj ishte emëruar në këtë pozitë, ndonëse ishte i dobët sipas vlerësimit të vetë Gashit. Vazhdon ta mbajë edhe më tej, ani se ishte suspenduar me vendim të ish-ministrit, Bajram Rexhepi, për përgjegjësi në skandalin e vjedhjes së 1.4 milion eurove të pasaportave.

“Bisedo edhe tregom edhe tash ti mos u vono qysh ki merak me ndejt me to tre sahat”, ia rikujton Gashi – Grabovcit.

“Hajt se po pres unë pra qitu pra se ashtu, kshtu po vazhdoj me do punë”, përfundon Gashi.

Gashi e Grabovci flasin edhe për angazhimet tjera, siç janë përmbushja e kritereve të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave, e për angazhimin tjetër në Bordin e Universitetit të Pejës.

“Gashi: Unë pasha besën, ton kohën n’komunikim me Bashkësinë Evropiane, i kem pas sot ata… ata edhe na kanë intervistu qysh ça kem punu, tek kem punu… Për integrime edhe mirë kem kalu”, thotë Gashi. Për këtë merr një “bravo” nga Grabovci.

“Than keni bo progres”, thotë ai.

Grabovci i tregon se ka biseduar me dike që e quan Xhelë, se si Gashi do të hyjë në histori si themelues i Universitetit.