Dorëzohet Napoli, Hysaj mund të kalojë te Atletico Madrid

E ardhmja e Elseid Hysaj mund të jetë në Spanjë. Sipas asaj që publikohet në medien iberike, Atletico Madrid dhe Napoli vijojnë bisedimet për transferimin e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare në kryeqytetin spanjoll.

Hysaj ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së Los Colchoneros, por Semedo me kalimin e kohës u bë prioritet i skuadrës së Diego Simeones, kjo edhe për faktin se De Laurentis kërkonte mbi 30 milionë euro për Hysajn.

Por  gjërat duket se kanë ndryshuar kohët e fundit dhe Hysaj është kthyer sërish në prioritet për madrilenët, ndërkohë që edhe te Napoli duket se janë dorëzuar dhe kanë pranuar uljen e çmimit për të.

Mësohet  se në bisedimet e fundit, Atletico Madrid ka ofruar 15 milionë Euro, ndërkohë që Napoli kërkon 20 milionë. Në këtë pikë madrilenët mund të shtojnë edhe bonuse për t’iu afruar shifrës së kërkuar nga Napoli.