Dorëheqjet, lojëra politike të Listës Serbe

Deputeti Sllobodan Petroviq thotë se zgjedhjet e 19 majit 2019 në katër komunat veriore nuk janë të lira pasi nuk është krijuar hapësirë edhe për kandidatët tjerë serbë të garojnë në zgjedhje, për shkak të presioneve të ndryshme, të kërcënimeve, por edhe të vrasjeve që kanë ndodhur në atë pjesë të vendit.

Ndërsa duke folur për deklaratat e përfaqësuesve të Listës Serbe se në rast se i fitojnë zgjedhjet ata përsëri do të japin dorëheqje nga kjo pozitë, kryetari i SLS-së, Sllobodan Petroviq, ato i ka quajtur lojëra politike të këtij subjekti.

“Mendoj se deklaratat e tilla dhe vendimet e tilla, të cilat pastaj merren, nuk i kontribuojnë asgjësë dhe askujt. Është qesharake loja, në të cilën do të dëshironit të merrni pjesë pak në zgjedhje dhe të jeni pjesë e institucioneve të Kosovës e pastaj do të dëshironit të dilni nga institucionet e njëjta. Secili që është normal në këtë situatë do të pyeste: Pse lojërat e tilla dhe kujt i shkojnë për shtati? Një gjë është e sigurt, e kjo është se e gjithë kjo çon në keqësimin e jetës së bashkësisë serbe jo vetëm në veri, por në të gjitha mjediset në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera ai për “Zërin”.

Petroviq po ashtu ka theksuar se aktualisht në veri të Kosovës asnjë kandidat potencial nuk ndihet i sigurt që t’i bëjë konkurrencë kandidatëve aktualë për kryetar në këto komuna.

“Para se gjithash mendoni në presionet e ndryshme, djegia e veturave, kërcënimet, por kishim edhe vrasjen e dy kandidatëve për kryetar të Mitrovicës Veriore. Kjo është pasqyrë e një qëllimi që të kemi vetëm një parti serbe, e cila merr pjesë në zgjedhje të tilla. Është logjike që në një situatë të tillë askush nuk dëshiron t’i matë forcat e tij dhe trupin votues. Këtu para se gjithash është përgjegjëse bashkësia ndërkombëtare, por një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe institucionet vendore, sepse nuk kanë krijuar kushte normale që të gjithë të mundin të marrin pjesë lirshëm në zgjedhje”, ka thënë tutje ai.

SHPËRNDAJE