Dogana e Kosovës konfiskon mallra të kontrabanduara nga Serbia

Dogana e Kosovës njoftoi të martën se gjatë javës së kaluar ka konfiskuar mallra të kontrabanduara në vlerë prej 25 mijë eurosh.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e mallrave të konfiskuara është nga Serbia.

“Mallrat (e kontrabanduara) – pjesa më e madhe është nga Serbia, por ka mallra edhe nga vendet tjera. Ka edhe kundërvajtje, të cilat janë realizuar në pika të tjera kufitare. Sidoqoftë, nuk mund të themi se është një sasi shumë e madhe, por prapëseprapë, Dogana është vigjilente për t’i ndaluar të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave në Republikën e Kosovës”, tha Stavileci.

Dogana ka zbuluar 18 raste të mallrave të dyshimta si kontrabandë, të cilat kanë qenë kryesisht pije alkoolike dhe jo-alkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë e ndryshme.

Importet nga Serbia në Kosovë kanë rënë prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur, në nëntor të vitit të kaluar, taksë doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Para taksës, është vlerësuar se Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë deri në 1 milion euro në ditë.