DnV: Deri në orën 12:00 votuan 276 mijë e 342 qytetarë

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur raportin e dytë për procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot për zgjedhjet lokale, ku ka identifikuar disa parregullsi që kanë ndodhur nëpër qendrat e votimit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre parregullsive, ato nuk po e prishin procesin në tërësi.

Albert Krasniqi nga DnV-ja tha se raportin që kanë marrë nga vëzhguesit e tyre në terën jep të dhëna për procesin deri në orën 12:00.

Ai tha se deri në orën 12:00, kanë votuar 276 mijë e 342 qytetarë me të drejtë vote ose shprehur në përqindje 14. 61 përqind e të gjithë votuesve.

Sipas raportit të DnV-së, tri komunat me përqindjen më të lartë të daljes është Kllokoti, Mamusha dhe Leposaviqi. Ndërsa, komunat me daljen me të ulët deri në orën 12, janë Skenderaj me 9.3 përqind, Dragashi me 10. 8 përqind dhe Rahoveci me 11. 2 përqind.