“Dituria Islame” mbush 30 vjet (Video)

Revista “Dituria Islame” në një manifestim solemn në prani të udhëheqjes më të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës, jetës politike dhe kulturore, si dhe mysafirëve të shumtë, mbrëmë, ka shënuar 30 – vjetorin e veprimtarisë së saj që u vlerësua e suksesshme dhe e begatshme.

Në këtë manifestim roli dhe kontributi i revistës “Dituria Islame” u çmua lart si në aspektin fetar ashtu edhe në atë kombëtar, kulturor, historik e informativ.

Fjalë të mira për revistën në fjalë tha kryeministri i vendit Isa Mustafa, duke vlerësuar lart misionin që barti kjo revistë për të informuar besimtarët, por edhe shqiptarët në përgjithësi për zhvillimet politike, fetare dhe kulturore që atë kohë ishin të ndaluara nga pushteti, raporton Ekonomia Online.

“Revista ‘Dituria Islame’, sikurse edhe Bashkësia Islame në tërësi, ka dhënë një kontribut dhe ndihmesë të jashtëzakonshme shoqërore në Kosovë në promovimin e vlerave të mirëfillta të fesë islame të ndërlidhura me vlerat dhe atributet kombëtare. Në kohë shumë të vështira revista ‘Dituria Islame’ ka përmbushur një mision tepër të rëndësishëm ndaj popullsisë në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, duke qenë në shërbim të informimit edukimit dhe të orientimit të tyre. Kemi nevojë të kultivojmë respektimin e vlerave njerëzore, tolerancën mes popujve dhe kulturave të ndryshme”, ka pohuar kryeministri Mustafa.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, për rrethanat në të cilat doli “Dituria Islame” para 30 vjetësh, tha se si revistë mujore, fetare, shkencore e kulturore “Dituria Islame” qëndroi e fuqishme në misionin e saj të informimit dhe thirrjes islame në vendin tonë, por dhe më gjerë.

“Ishte viti 1990, kur pushteti serb ndaloi mjetet e informimit, në gjuhën shqipe. Mbylljen e të përditshmëve, si dhe RTP-në. Atëherë dituria Islame, u vu në dispozicion të informimit të popullatës shqiptare dhe në një farë mënyre e mori rolin e revistës informative, ku denonconte dhe informonte për dhunën që pushteti serb ushtronte mbi shqiptarët”, tha myftiu Tërnava.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka thënë se revistat e asaj kohe në përgjithësi kanë dhënë kontribut të madh në ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare.

“Revista “Dituria Islame” ka qenë kandil që është përpjekë të ndriçojë mendjen dhe zemrën e besimtarëve, në errësirën e një shoqërie ateiste të një shteti komunist dhe të një pushteti okupues. Shkëlqimi i kësaj drite i duhet besimtarëve tanë edhe sot që të marrë frymëzimin e fesë”, ka thënë ai.
Më 23 qershor të vitit të largët 1986, u botua revista “Dituria Islame”, kryeredaktor i parë i së cilës ishte Jetish Bajrami.

Konferenca shkencore – Revista “Dituria Islame” – Tri dekada jetë, punë, sfida dhe suksese, do t’i vazhdojë punimet sot dhe nesër.

https://vimeo.com/192232883