“Diplomati shpëton veten dhe vë në rrezik presidencën e Trump-it!”

Gordon Sondland, sapo shpëtoi veten dhe vuri në rrezik presidencën e Donald Trump-it thotë CNN.

Ambasadori amerikan në BE deklaroi përpara komisionit të Inteligjencës së Dhomës së Perfaqësuesve se ka qenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta detyruar Ukrainën të hapte një hetim mbi Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.

“Unë ndoqa udhëzimet e presidentit”, u shpreh Sondland. Pohimi i tij konsiderohet si grusht i fortë për Shtëpinë e Bardhë që këmbëngul se nuk ka pasur lidhje mes ndihmës ushtarake apo vizitës së presidentit ukrainas në Washington, dhe hetimeve për ish-zëvendëspresidentin amerikan.

“Ishin të gjithë në dijeni. Nuk ishte sekret. Të gjithë u informuan përmes email-it në 19 korrik, disa ditë përpara telefonatës presidenciale. Sic ia transmetova dhe ekipit, I thashë paraprakisht presidentit Zelensky se garancitë për të kryer një “hetim të plotë e transparent“ dhe “për të kthyer cdo gur”, ishin të domosdoshme në bisedën e tij me presidentin Trump”, u shpreh Gordon Sondland.

Sonland pohoi qartë se ka ekzistuar kushtëzimi, një veprim që në SHBA njihet si  “quid-pro-quo” ( kuid pro kuo). Sondland deklaroi se ka punuar me avokatin personal të Trump-it, Rudy Giuliani, “për të thyer bllokadën” dhe për të garantuar sërish ndihmën për Kievin, një ndihmë që mbërrinte në qindra miliona dollarë.

“Giuliani ka shprehur dëshirën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ne e kemi ditur se këto hetime kanë qenë të rëndësishme për kreun e shtetit”, është shprehur ambasadori./tch