Dialogu dëmtoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka lehtësuar një varg çështjesh teknike në të mirët e qytetarëve të të dyja vendeve, por kalimi në fazën e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në planin ndërkombëtar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Dëmet për Kosovën, sipas tyre, për më shumë vazhdojnë të rriten për shkak të mosarritjes edhe më tej të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke humbur nga dialogu që po zhvillon me Serbinë, sepse kjo e fundit, në të gjitha shkresat zyrtare që po ua dërgon vendeve të ndryshme, kërkon mosnjohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, kjo po sjellë dëme, sepse të gjitha vendet po rezervohen që të marrin qëndrime të fuqishme për përkrahjen e Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke e pritur rezultatin, me arsyetimin që ‘ne nuk do të paragjykojmë asnjë zgjidhje’. Simptomatike ishte tërheqja e njohjeve – ndonëse në diplomaci nuk njihet si e tillë, por si ngrirje e marrëdhënieve – që disa vende po e bëjnë ndaj Kosovës, sepse po u thonë që derisa të përfundojë marrëveshja, ne nuk do të kemi marrëdhënie ose do t’i ngrijmë marrëdhëniet”, theksoi Tahiri.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare dhe juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka krijuar hapësirë për të kuptuar se të dy vendet kanë ende çështje të hapura.

“Kjo mund të ndikojë te vendet skeptike që ato të mos e njohin Kosovën, me të drejtë, për shkak se konsiderojnë që çështja e statusit të vendit nuk qenka mbyllur në vitin 2008, me shpalljen e pavarësisë, mirëpo paska ende probleme për t’u zgjidhur me Serbinë. Kjo, natyrisht që do të ndikojë në këtë aspekt dhe ka ndikuar edhe deri më tash, duke pasur parasysh tërheqjen e njohjeve nga disa shtete, që ka ndodhur edhe me ofensivën e madhe të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës dhe kundër subjektivitetit të saj”, tha Mushkolaj.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se Kosova dhe diplomacia e saj deri më tash kanë dështuar që dialogun e Brukselit ta kthejnë në favor të vendit, në planin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Politologu Tahiri, thotë që institucionet e Kosovës, e veçanërisht ato që merren me politikën e jashtme, kanë dështuar që të bëjnë një dokument përmbledhës përmes të cilit do të shpjegohej historia e çështjes së Kosovës.

“Askush në botë, e as në Serbi, nuk mund të mendojë që Kosova mund të kthehet në çfarëdo kushte nën Serbinë – ndonëse si e tillë nuk ka qenë kurrë, përveç periudhës së dhunshme të Milosheviqit – ose në asnjë formë nuk mund të mendoj që Kosova mund të jetë në një bashkësi me Serbinë. Kjo kundërshtohet edhe në kuadër të Serbisë, në kuadër të Kosovës, por edhe në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare. E vetmja mundësi është pranimi i shtetit të Kosovës, si realitet i krijuar tash e 20 vjet, si shprehje e vullnetit të popullit dhe si faktor paqeje dhe stabiliteti. Këto argumente nuk ka arritur që t’i bëjë diplomacia e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Edhe analisti Mushkolaj vlerëson që diplomacia e Kosovës ka dështuar që t’ua shpjegojë esencën e dialogut të Brukselit vendeve që janë skeptike ose të luhatshme për ta njohur shtetin e Kosovës.

“Është dashur që t’iu bëhet e qartë që ne kemi çështje të pazgjidhur me Serbinë, çfarë mund të kemi edhe me shtetet tjera fqinje. Mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk jemi shtet i pavarur dhe që nuk e kemi integritetin territorial tonin. Në këtë aspekt, unë besoj që ka dështuar diplomacia e Kosovës dhe institucionet tjera. Po të bëhej kjo e qartë, atëherë edhe hezitimet, respektivisht, hamendjet e shteteve, qoftë atyre që na kanë njohur, qoftë të atyre që nuk na kanë njohur, do të ishin më të vogla ose nuk do të ekzistonin fare”, theksoi Mushkolaj.

Dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur fillimisht si dialog për çështje teknike, në vitin 2011 dhe pastaj ky dialog ka kaluar edhe në nivelin politik.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar që në fund të bisedimeve, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila përveç tjerash, do t’u hapte të dy vendeve rrugën e integrimit në BE.

SHPËRNDAJE