Diabeti dhe rëndësia e aktivitetit fizik te diabetikët

Te personat që vuajnë nga diabeti aktiviteti i rregullt fizik, krahas një diete të shëndetshme, është shumë i rëndësishëm për të mbajtur në kontroll nivelin e sheqerit.

Stërvitjet fizike preferohen për të gjithë personat pavarësisht moshës apo nëse janë të prekur nga sëmundje të caktuara. Megjithatë kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat me diabet apo prediabet.

Personat që vuajnë në diabeti këshillohet të aplikojnë aktivitetin fizik përmes ushtrimit të sporteve të ndryshme. Nëse ju nuk mund të ushtroni ndonjë sport, qoftë për shkak të moshës apo ndonjë arsye tjetër, atëherë rekomandohet të ecni për të paktën 45 minuta, tre deri në katër herë në javë.

Por ju do të pyeteni se çfarë në fakt ndihmon aktiviteti fizik te personat me sëmundjen e sheqerit?

Ushtrimet fizike në radhë të parë ndihmojnë të mbani një peshë të shëndetshme, e cila është shumë e rëndësishme për të parandaluar ose penguar përkeqësimin e sëmundjes.

Stërvitjet fizike ndihmojnë edhe glukozën (sheqerin) në gjak që të qëndrojë në nivelet normale. Ato ndihmojnë insulinën (hormonin e sheqerit) që ta absorbojë glukozën nga gjaku dhe ta fusë në qelizat e trupit tuaj, përfshirë muskujt, të cilët e shfrytëzojnë atë për të prodhuar energji.

Me një fjalë, duke ndërtuar muskuj dhe duke i aktivizuar ato përmes ushtrimeve fizike, ju ndihmoni “shkrirjen” e glukozës së tepërt në gjakun tuaj./Mesazhi/