Dështon raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë

Ka dështuar edhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë, pasi edhe në seancën e posaçme të zhvilluar sot nuk është paraqitur asnjë kandidat nga partitë politike, ndërsa edhe në seancën e sotme kanë munguar deputetët e opozitës, të cilët që prej 18 shkurtit vazhdojnë bojkotin parlamentar, raporton Anadolu Agency (AA).

Raundi konsiderohet i përfunduar, ndërsa tashme kanë mbetur edhe dy raunde të tjera, pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon 5 raunde për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri vendit.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe Drejtave të Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, Vasilika Hysi, duke folur në seancën e sotme, konfirmoi se në Kuvend nuk është depozituar asnjë kandidaturë për postin e presidentin të Republikës së Shqipërisë.

Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (71 vota), nga 140 deputetë që ka gjithsej kuvendi i Shqipërisë.

Edhe pse maxhoranca aktuale ka rreth 86 mandate në Kuvend, numrin e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, ka theksuar se synojnë të zgjedhin një president konsensual.

Raundi i katërt është caktuar që të zhvillohet nesër. Në rast se edhe pas raundit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe sipas kushtetutës së Shqipërisë zgjedhjet e reja të përgjithshme zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Kujtojmë se mandati pesëvjeçar i presidentit aktual, Bujar Nishani, përfundon më 24 korrik të këtij viti dhe në rast të mos zgjedhjes së president të ri, pas kësaj datë kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pritet të ushtrojë kompetencat e presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Opozita vazhdon që prej datës 18 shkurt protestën dhe bojkotin e seancave të Kuvendit, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, sot gjatë fjalës në seancën e parlamentare theksoi se zgjedhjet do mbahen më 18 qershor.