Dështimet e mëdha të 2018-s

E proklamuar si “Qeveri e sporteve të rënda”, ekzekutivi aktual ka shënuar tri dështime të mëdha gjatë vitit 2018.

Përveç ngecjes në sjelljen e njohjeve të reja, Kosovën gjatë këtij viti e kanë “çnjohur” disa shtete, po ashtu ka dështuar anëtarësimi në INTERPOL, ndërsa janë dhënë sinjale se sivjet nuk do të ketë as vendim për liberalizimin e vizave.Drejtuesit e koalicionit qeverisës që nga fillim i vitit 2018 kanë premtuar se gjatë këtij viti Kosova do të marrë liberalizimin e vizave për Zonën Schengen, do të marrë njohje të reja, si dhe do të anëtarësohet në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare, INTERPOL.

Megjithatë vlerësohet se në këto tri fusha Kosova ka dështuar, shkruan “Zëri”.

Derisa sivjet ka ardhur vetëm një njohje e re, disa shtet janë deklaruar se kanë tërhequr njohjen. Gjithashtu këtë javë Kosova nuk arriti të anëtarësohet në INTEROL, kurse sa i përket liberalizimit të vizave shumë shtete të rëndësishme të Bashkimit Evropian ende vazhdojnë të hezitojnë, madje janë dhënë sinjale të forta se sivjet nuk do të ketë vendim për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Derisa në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk duan të deklarohen për këto dështime, partitë opozitare dhe analistët politikë thonë se Qeveria është duke vepruar pa program të qartë, ndërsa theksojnë faktin që diplomacia është politizuar tej mase.

SHPËRNDAJE