Dështim i Shpend Ahmetit: Në 2019-ën nuk e shpenzoi as gjysmën e buxhetit për investimet kapitale

2019-ta ka qenë viti më i keq investivë në komunën e Prishtinës që prej se drejtimin e pushtetit në kryeqytet e ka marr, Shpend Ahmeti. Kështu flasin dokumentet e hartuara nga Komuna e Prishtinës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk po di çfarë të bëjë me paratë e komunës. Janë qindra probleme në kryeqytet që presin ndërhyrjen e ekzekutivi komunal për të cilat nuk do të mjaftonin miliona euro, por kryetari Ahemti ka vendosur që edhe në këtë mandat ta mbajë kuletën e mbyllur. Çdo vit po i planifikon projektet, por ato ose nuk kontraktohen me kohem, ose po hiqen nga buxheti në gjysmën e dytë të vitit, shkruan lajmi.net.

Komuna e Prishtinës në vitin 2019, ka pasur një buxhet të miratuar në vlerë prej 87 milionë e 733 mijë e 825 euro. Veçmas për investimet kapitale, buxheti ka qenë i miratuar në vlerë prej 48,358,014.75 eurove. Këto mjete të cilat ishin planifikuar për ndërtim të infrastrukturë për 12 muaj janë shpenzuar në vetëm 38.97%, ose fiks 18,845,744.75.

I NGJAJSHËM

TETË MUAJ QEVERISJE NË PRISHTINË E KANË NJË EMËR: “SHPEND DËSHTIMI”

Nëse në vitin e kaluar nuk ishin shpenzuar rreth 22 milionë euro të investimeve kapitale, këtë vit nuk janë shpenzuar rreth 30 milionë euro.


Pra, sipas paportit për muajin dhjetor i hartuar nga drejtoria e financave të Komunës së Prishtinës që e ka parë lajmi.net, në vitin që shkoi, komuna ka pasur tepricë fiks në vlerë prej 29 milionë e 512 mijë euro. Nëse kësaj shume i shtyhen edhe parat e marra nga kategoria e investimeve kapitale për pagesën e ish-punëtorëve të tjegullores “IMN Kosova”, që u janë ndarë 2 milionë e 321 mijë euro për pagesën e këstit të dytë për 20 përqindëshin e punëtorëve në llogari të AKP-së, atëherë shuma e mjeteve të investimeve kapitale që nuk janë shpenzuar për destinimin adekuat arrin në vlerën e 31 milionë e 833 mijë eurove.

Nga të gjitha kategoritë, buxheti është shpenzuar në vlerë prej 78 milionë e 638 mijë e 62 euro.

Komuna ka arritur të realizojë planin e të hyrave vetanake. Por, të hyrat nga të gjitha kategoritë tregojnë se Komuna nuk ka ditur të planifikojë si duhet të hyrat nga kategoritë e veçanta, pasi në shumë prej tyre ka pasur vlerë të tejkalimit edhe për mbi 200 për qind të planit e në disa kategori ka pasur nën planifikim.

Tabela e të hyrave:


Në organizatën INPO, e cila monitoron Komunën e Prishtinës, kanë thënë se komuna po ballafaqohet me probleme të mëdha për realizimin e planit investivë. Qëndrim Arifi, nga kjo organizatë ka thënë për lajmi.net se Komuna edhe këtë vit nuk mund të veçohet për ndonjë punë të jashtëzakonshme, e cila do të ndikonte në mënyrë esenciale në mirëqenien e qytetarëve. Rrjedhimisht, sipas tij, komuna nuk ka zhvilluar ndonjë projekt madhor, ndërsa nevojat më të mëdha janë në aspektin infrastrukturorë.

“Sa i përket planit investiv, komuna me vite po ballafaqohet me problematiken e mos shpenzimit të buxhetit për investime kapitale, gjë e cila ndikon direkt edhe në planin investim, rrjedhimisht shumë projekte mbesin të pa filluara, respektivisht të pa përfunduara. Pra, ngecja më e madhe mund të konsiderohet mos shpenzimi i mjeteve për projekte kapitale. Për nëntë muaj komuna ka shpenzuar vetëm 19% të mjeteve për këtë kategori, dhe kjo ndikon direkt tek qytetarët sepse Prishtina ka nevojë për projekte kapitale shumëfish më shumë se sa buxheti që ka në dispozicion komuna për të”, ka thënë Arifi.

Ai ka thënë se arsyet e mos shpenzimit të këtyre mjeteve janë të koncentruar kryesisht tek keqplanifikimi dhe joprofesionalizmi i njësive kërkuese, respektivisht drejtorive komunale. “Keq planifikim sepse hartohen projektet pa u llogaritur kostot e shpronësimeve dhe problematikave të tjera që mund të dalin në terren, nuk përgatitet projektet në mënyrë profesionale dhe në afate të pranueshme kohore të cilat në realitet shpërfaqin probleme profesionale brenda drejtorive”.

INPO jepe disa sugjerime se si mund të përmirësohet performanca e dobët e komunës.

“Garanci për një qeverisje më efektive për vitin e ardhshëm është bashkëpunimi në mes të kuvendit komunal dhe ekzekutivit, rritja e kapaciteteve profesionale brenda drejtorive komunale, ushtrimi i presionit të vazhdueshëm nga ana e kuvendit komunal në drejtim të ekzekutivit e kështu me radhë”, ka thënë Arifi.

Lajmi.net ditë më parë kishte raportor se Komunës së Prishtinës pritet t’i teprojnë rreth 30 milionë euro të investimeve kapitale.

Lajmi.net kishte raportuar se deri më 30 nëntor të vitit 2019, Komuna kishte shpenzuar vetëm 13,841,717.68 euro nga kategoria e investimeve kapitale, pra më 1 dhjetor komuna i ka pasur në llogari edhe 34 milionë e 821 euro të pa shpenzuara nga investimet kapitale. Pra, vetëm në muajin dhjetor komuna bëri pagesa për investimet kapitale në vlerë prej 10 për qind të shumës së planifikuar vjetore.