Deportimi i gylenistëve, përplasje mes Thaçit dhe Komisionit Hetimor

Presidenti Hashim Thaçi sot është ftuar që të raportojë para Komisionit Hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Me të filluar mbledhja ka pasur përplasje të vogla mes presidentit dhe kryetarit të Komisionit Hetimor, Xhelal Sveqla.

Fillimisht, Thaçi ka kërkuar të dijë së cili është eksperti i cili e ka përpiluar raportin.

Presidenti ka thënë se nuk është e udhës të mos dihet se kush është eksperti ndërkombëtar, që sipas tij nuk duhet të jetë i panjohur. Më pas Thaçi ka pyetur se në çfarë baze ligjore është angazhuar eksperti ndërkombëtar për rastin e gylenistëve.

Anëtari i Komisionit, Muharrem Nitaj ka thënë se nuk është kërkuar interpretim nga ndonjë zyrë ligjore.

Ai ka kërkuar nga Thaçi që nëse ka ndonjë informacion që mund ta komprometojnë angazhimin e këtij eksperti, t’ua tregojë komisionit.

Megjithatë kryetari i Komisionit Sveqla ka thënë se eksperti është angazhuar në konsultim me juristët e komisionit dhe sekretarinë e Kuvendit.

E deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se askush nuk ka pasur informacione për ekspertin e angazhuar.

Ai ka thënë se krejt çfarë dinë për të është se i njëjti ka punuar në zyrën e avokatit të popullit.

Megjithëse anëtarët e Komisionit Hetimor kanë kërkuar përgjigje nga presidenti i vendit për angazhimin e tij në rastin e gylenistëve, Thaçi ka thënë se ai duhet ta dijë fillimisht se në çfarë forme është angazhuar eksperti i apostrofuar.

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka thënë se Thaçi po përdor strategji, për të mos iu përgjigjur pyetjeve, por për të bërë pyetje.

Ndërsa, debati është nxehur më shumë kur deputeti Sami Kurteshi ka thënë se Thaçi ka skenar për ta prishur mbledhjen e Komisionit Hetimor.

“Asnjë te drejtë ligjore nuk keni me këtë se çka ju po bëni. Çka do që keni vërejtje ajo vetëm i ndihmon Komisionit Parlamentar. Eksperti është doktorant i Universitetit të Luzernit. Ai ka punuar tek avokati i popullit, është verifikuar dhe votuar nga Komisioni”, ka thënë Kurteshi.

Kurteshi e ka pranuar se ai vetë e ka propozuar ekspertin dhe i njëjti është votuar nga Komisioni.