Demokratët: Kemi prova të reja për shkarkimin e Trumpit

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë sot për kohën kur do të dërgojnë akuzat për Trumpin në Senat, ku dhe do të nisë gjykimi i tij.

Por para votimit, demokratët thanë se kanë prova të reja që lidhen me procedurat për shkarkimin e Presidentit. Ata publikuan disa dokumente për të cilat BBC raporton se përfshijnë tekst-mesazhe dhe shënime me shkrim të Rudy Giulianit, që është avokati i Presidentit.

Trump do të gjykohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit dhe nëse Senati e shpall fajtor, gjë që thuhet se ka pak gjasa të ndodhë pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët, Trump do të shkarkohej nga detyra.

Presidenti amerikan akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur pezull ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare. Ndërkaq Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime./Opinion.al