Delegacioni i SHBA-ve në Turqi diskuton për Munbixhin në Siri

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, ka njoftuar se një delegacion i SHBA-ve filloi negociatat me zyrtarët turq në Munbixh, qytet në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Turqia dhe SHBA-të kanë krijuar një mekanizëm për të trajtuar çështje të veçanta në grupet e punës, duke përfshirë stabilizimin e Munbixhit dhe për të parandaluar përplasjet e padëshirueshme, pas vizitës në Ankara gjatë muajit shkurt të ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

“Pjesa e dytë e këtij takimi po mbahet sot. Ne po presim një delegacion të SHBA-ve”, u tha gazetarëve Aksoy gjatë një konference për media në Ankara.

Takimi i parë i grupit të punës mbi Sirinë u mbajt më 8 dhe 9 mars në Washington.

“Munbixhi do të mbetet fokusi kryesor i takimit të sotëm”, tha Aksoy dhe shtoi se detajet e takimit të sotëm do të njoftohen pas një takimi midis ministrit të Jashtëm, Mevlut Çavuşoğlu dhe homologut të tij amerikan, Mike Pompeo më 4 qershor në Washington.

Munbixhi, një qytet që është nën kontrollin e YPG/PKK-së, ka shkaktuar grindje në relacionet Turqi-SHBA, me Turqinë duke hedhur poshtë punën e SHBA-ve me YPG/PKK-në terroriste dhe duke kërkuar tërheqjen e grupit.

Mbështetja ushtarake e SHBA-ve për grupin terrorist në Munbixh ka tensionuar lidhjet midis Ankarasë dhe Washingtonit dhe ka çuar në frikën e përleshjeve ushtarake midis dy aleatëve të NATO-s, pasi ka rreth 2.000 trupa amerikane në qytet.

Në janar të këtij viti, Turqia nisi operacioni “Dega e Ullirit” në Afrin në veri të Sirisë për të pastruar zonën nga grupet terroriste. Pas çlirimit të qytetit të Afrinit, Ankaraja tha se operacioni i saj mund të zgjerohet edhe më tej drejt lindjes së Munbixhit, përveç nëse grupi terrorist YPG/PKK largohet nga qyteti strategjik.