Delegacioni i SHBA do të vijë në Ankara për të diskutuar tërheqjen nga Siria

Grupi i punës i themeluar mes Turqisë dhe SHBA-ve për të koordinuar procesin e tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, do të zhvillojë mbledhjen e tij të dytë në Ankara më 28 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga autoritetet turke, në Ankara më 28 shkurt-1 mars do të mblidhet grupi i përbashkët i punës i cili mbledhjen e parë e zhvilloi në SHBA më 6 shkurt dhe të cilin ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu e njoftoi pas vizitës së tij në SHBA në fillim të muajit.

Grupi i punës u krijua në muajin shkurt të vitit 2018 mes Turqisë dhe SHBA-ve dhe operon si nën-njësi e grupit të punës për Sirinë.

Në takimin që do të mbahet në Ankara, do të vlerësohen planet e SHBA-ve për tërheqjen e trupave të saj nga rajoni i Munbixhit në perëndim të territoreve në lindje të Eufratit.

SHBA-të aktualisht kanë më shumë se 2.000 trupa në Siri

Pentagoni rreth procesit të tërheqjes një ditë më parë njoftoi se do të lë disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e forcave ndërkombëtare në verilindje dhe në jug të Sirisë, si dhe kishte pretenduar se në “zonën e sigurisë” nuk do të hynin elementet e Turqisë dhe Forcave Demokratike të Sirisë (FDS).

Ndërsa në lidhje me çështjen e kalendarit të tërheqjes komandanti i Forcave Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) gjenerali Joseph Votel në një deklaratë më 11 shkurt, ka thënë se tërheqja do të fillonte brenda disa javësh si dhe kishte dhënë sinjalin se hapat e para të procesit do të hidheshin jo më vonë se mesi i muajit mars.

Sipas informacioneve të marra, zyrtarët amerikanë në bisedimet e fundit me kolegët turq kanë theksuar se procesi i tërheqjes do të mund të përfundojë deri në fillim të verës, por se kalendari i tërheqjes mund të ndryshojë në varësi të kushteve në terren.

Turqia kundërshton formulën e “koalicionit”

Zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan tha në një deklaratë më 13 shkurt se do të ndërtohet një forcë vëzhgimi nën ombrellën e koalicionit në veri të Sirisë.

Një zyrtar turk në deklaratën për AA ka rikujtuar se Turqia është aktualisht një anëtare e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të në luftën kundër DEASH-it. Zyrtari ka tërhequr vëmendjen se SHBA-të kanë për qëllim që t’i japin Turqisë simbolikisht një vend në misionin e vëzhgimit për të parandaluar futjen e saj me një prani të fortë ushtarake në verilindje të Sirisë.

Ndërsa planet e Turqisë në lidhje me pjesën verilindore të Sirisë parashikohen të jenë në mënyrë që YPG/PKK-ja të tërhiqet në jug të paktën 30-40 kilometra nga kufiri dhe marrjen e masave ushtarake në mënyrë që ajo të mos kthehet më këtu.

Vazhdon një hetim i përbashkët për Munbixhin

Në udhërrfëyesin për Munbixhin, është duke u zhvilluar një proces i përbashkët hetimi me qëllim për ristrukturimin e këshillave civile dhe ushtarake në zonë. Turqia dëshiron që të përfundojnë sa më shpejtë shkëmbimi i informacionit dhe pikëpamjeve në lidhje me emrat.

Turqia kundërshton që pjesëtarët e YPG/PKK-së dhe emrat nën drejtimin e tyre të marrin pjesë në njësitë e qeverisjes së zonës.

Zyrtarët turq theksojnë se administrata duhet të jetë në përputhje me strukturën demografike të Munbixhit, popullata e së cilës janë 85 deri 90 për qind arabë. Për të zbatuar planin, është e nevojshme që SHBA-të të largojnë edhe rreth 1.000 pjesëtarët e armatosur të YPG/PKK-së nga ajo zonë.

Theksi mbi të drejtën për vetëmbrojtje

Në bisedat mes Ankarasë dhe Washingtonit, delegacioni turk thekson se në rast të tërheqjes së forcave amerikane pa arritur një qasje të përbashkët në kuadrin e ndjeshmërisë për sigurinë e Turqisë ajo rezervon të drejtën legjitime për vetëmbrojtje.

Në këtë rast, SHBA-të do të duhet të bëjnë një llogaritje fitim-humbje mes “daljes me marrëveshje” dhe “daljes pa marrëveshje”.

Rreziku që pret qeverinë Trump

Që nga vendimi i SHBA-ve për tërheqjen, Turqia ka tërhequr vëmendjen në boshllëqet e forcave që ky proces mund të shkaktojë në terren.

Në rast se SHBA-të tërhiqen pa një marrëveshje me Turqinë, në territorin nga ku do të tërhiqet ekziston edhe mundësia që të hyjnë forcat e regjimit të Asadit, Iranit, madje edhe të policisë ushtarake të Rusisë.

Një situatë e tillë do të vendosë në situatë të vështirë qeverinë e Trumpit në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm.

Disa ditë pas vendimit të SHBA-ve për tërheqjen, organizata terroriste YPG/PKK ftoi forcat e regjimit të Asadit në perëndim të Munbixhit dhe ua dorëzoi kontrollin.

Ndërsa një nga kërkesat kryesore të Turqisë në procesin e tërheqjes së SHBA-ve është edhe rimbledhja e armëve dhe municioneve që u ka dhënë YPG/PKK-së.

Qeveria e Washintonit ka premtuar të mbledhë armët nga YPG/PKK pas përfundimit të luftës kundër DEASH-it.

Në rast të tërheqjes së SHBA-ve, Turqia nuk dëshiron që bazat t’u kalojnë terroristëve dhe kërkon shkatërrimin e këtyre bazave ose t’i dorëzohen ushtrisë turke.