Deklarata e fundit e Ramosit pas humbjes turpëruese nga Barcelona

Sergio Ramos është deklaruar i zhgënjyer me rezultatin e ‘El Clasicos’ së fundit, ku Barcelona mposhti 3:0 Real Madridin në ‘Santiago Bernabeu’, për të kaluar në finale të Kupës së Mbretit.

Dy gola të Luis Suarez dhe një autogol i Rapahel Varane, i sollën një fitore të pastër Barcelonës në Bernabeu.

Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, pas ndeshjes ka shprehur gjithë zhgënjimin e tij për rezultatin duke shkruar në rrjetet sociale, por ka shtuar se skuadra tani është e fokusuar në ‘El Clasicon’ e radhës.

“Të zhgënjyer me rezultatin. Koha për t’u fokusuar në El Clasicon tjetër në La Liga. Faleminderit për mbështetjen e pakushtëzuar”, ka shkruar Ramos, përcjell ‘lajmi.net’.

Kujtojmë se Real Madrid më 2 mars, pret Barcelonën për të zhvilluar ndeshjen e xhiros së 26-të të La Ligas.