Deda: Shpend Ahmeti para 10 vjetësh ishte në prag të një kalimi në AAK

Deputeti Ilir Deda, duke komentuar koalicionin PSD-AAK ka dhënë disa detaje të padëgjuara me parë lidhur me mundësinë e kalimit të Shpend Ahmetit në partinë e Haradinajt, gjë që sipas tij datonte që nga viti 2009.

Përmes një postimi në Facebook, Deda ka thënë se në vitin 2009, Haradinaj kishte një plan që e quante AAK Plus.

Sipas tij, me këtë ai nënkuptonte që në parti t’i mblidhte të gjithë njerëzit që ishin kundër PDK-së.

Ai thotë se në atë kohë, Ahmeti ishte afër t’i bashkëngjitej AAK-së.

Ky është postimi i plotë i Dedës në Facebook:

NJË VËSHTRIM PËR TË SOTMEN DHE NJË KUJTIM NGA VITI 2009

Gjithçka që po ndodhë sot në politikë e ka një kontekst nga e kaluara. Në ditët dhe javët e ardhshme me gjasë do të ketë shumë lëvizje politike, dhe do të mundohem që t’ua spjegoj kontekstin e tyre sipas këndvështrimit tim.

Deklaratat e LDK-së se preferojnë të shkojnë të vetëm në zgjedhje, dhe nga VV se vetëm Albini duhet të jetë kandidat për kryeministër, na humbën kohë, dhe e prishën mundësinë e listës së përbashkët opozitare.

Për të gjithë ata që po “çuditen” me koalicionin e Shpendit me Ramushin, po pres me e pa “çudinë” e njejtë të “koalicionit” të Mimozës me Albinin.

“Çdokush rrugës së vet”

Në vitin 2009, në kohën kur një grup i vogël prej nesh e luftonte Qeverinë Thaçi 1 dhe fillet e kapjes së shtetit, korrupsionin i cili po mirrte hov, kur ishim në betejë kundër presionit ndaj mediave, dhe kur suksesshëm e parandaluam instalimin e autokracisë, Ramush Haradinaj e kishte planin politik që e quante AAK Plus. (Në 2009 VV mirrej me UNMIK-un dhe decentralizimin e pakos së Ahtisarit).
Ky plan nënkuptonte që rreth AAK-së të shkonin të gjithë ata që ishin për ndryshim e kundër PDK-së, por jo domosdoshmërisht nënkuptonte anëtarësim në AAK (në 2009 në LDK refuzohej reforma e partisë, e VV i rrotullonte veturat e EULEX-it).

Shpendi në atë kohë cilësohej si një nga figurat më të dalluara në shoqërinë civile, dhe neve kolegëve të tij nuk na dukej larg kyqja e tij në politikë me AAK. Por, aktakuza e dytë e Tribunalit të Hagës ndaj Ramushit e prishi atë plan politik për AAK Plus, dhe Shpend Ahmeti nuk shkoi me/në AAK.

Mimoza në 2009 ju bashkua AKR-së. Ndërsa dështimi i reformës në LDK më shtyu që bashkë me Shpendin në vitin 2010 ta nisnim Frymën e Re.

(vazhdon, sipas zhvillimeve politike).