De Biasi: Që sot, nuk jam më trajner i kombëtares

Gianni De Biasi njoftoi largimin që sot nga kombëtarja e futbollit të Shqipërisë, në një konferencë shtypi të përbashkët me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

“Nga sot, nuk jam më trajner i kombëtares. Sot, lë drejtimin e kombëtares pa pasur një skuadër tjetër që mund të punoj aktualisht. Po largohem për t’i lënë kohë trajnerit të ri që të njihet me skuadrën gjatë ndeshjeve që kanë mbetur”, tha De Biasi.

“Pas Evropianit isha i bindur që mund të përmirësoheshim dhe kështu do të jetë, por pa mua”, shtoi ish-trajneri italian i Shqipërisë.

Ndërsa Presidenti i FSHF-së, Duka deklaroi se nuk mendon që cikli i De Biasit me kombëtaren tonë kishte përfunduar.

“Unë nuk mendoj që cikli i De Biasit ka mbaruar. Unë kam pritur gjithmonë fundin dhe më pas kam diskutuar për kontratën, pasi kam menduar që negociatat dëmtojnë qëllimin. Kam besim të patundur që De Biasi ka qenë trajneri më i mirë i kombëtares dhe që ka pasur suksesin më të madh deri më sot. Unë e falenderoj dhe miqësia jonë do të vazhdojë, ndoshta edhe më e fortë”, deklaroi Duka.

Në lidhje me trajnerin e ri, Duka tha: “Që sot do të nis të mendoj për pasardhësin. Opsionin e trajnerit shqiptar kurrë nuk e kam përjashtuar. Do të diskutoj me stafin teknik të federatës dhe do të dalim me një qëndrim të pjekur se kush është më e mira për ekipin kombëtar. Nuk jam ende i vendosur për strategjinë që duhet të ndjekim për të ardhmen”.