Danimarka pranon përgjegjësinë për abuzimin e qindra fëmijëve

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u ka kërkuar zyrtarisht falje qindra viktimave të abuzimit seksual, të cilët jetonin në shtëpitë e administruara nga shteti. Një hetim zyrtar nxorri në pah se nga viti 1945 deri në 1976, qindra fëmijë u abuzuan seksualisht, u rrahën dhe u droguan.

Kryeministrja u takua me dhjetëra viktima në rezidencën e saj zyrtare në Marienborg. Shumë nga të pranishmit ishin me lot, teksa kryeministria tha se fëmijët ishin marrë nga prindërit e tyre, dhe në vend që të gjenin mbështetje dhe ngrohtësi, morën poshtërime dhe abuzime.

“Do të doja të shikoja secilin prej jush në sy dhe të them më vjen keq. Unë nuk mund ta marr fajin, por unë mund të marr përgjegjësinë”, tha ajo.

Shumë nga viktimat thanë se nuk kërkojnë dëmshpërblim, por kryeministria shtoi se mund të kuptojë këdo që e dëshiron atë. Sipas saj duhet të ngrihet një komision dhe një fond për të vlerësuar kompensimin, pasi abuzimi konsiderohet një shkelje e qartë e konventës së torturave.

“Falje do të thotë gjithçka. Gjithçka çfarë donim ishte paqja e mendjes”, tha njëri prej viktimave, Arne Roel Jorgensen, teksa tregonte se si jeta e shumë fëmijëve ishte shkatërruar nga abuzimi./Opinion.al