Crvena Zvezdës së Serbisë nuk i lejohet hyrja në Kosovë, do të ndalohen në kufi

Serbia po tenton që sovranitetin e Kosovës ta cënojë edhe përmes sportit.

Lidhur me këto veprime të Beogradit, sot është planifikuar të mbahet një ndeshje futbollistike ndërmjet ekipit të Crvena Zvezdës dhe ekipit të Trepçës ilegale, shkruan lajmi.net.

Ndeshja planifikohet të mbahet në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë, ani pse i takon 1/16 të Kupës së Serbisë.

Gjithsesi, Crvena Zvezda mund të kthehet prapa ende pa hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut të Mitrovicës, Branislav Radoviq, për lajmi.net ka konfirmuar se ekipi i Crvena Zvezdës, an ipse është nisur qysh ditën e djeshme, ende nuk ka hyrë në Kosovë.

Ai ka thënë se skuadrës serbe nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë.

“Crvena Zvezda nuk ka mbërritur në Kosovë. Unë jam pyetur për këtë çështje edhe mbrëmë nga mediat serbe dhe përgjigja ime është e njëjtë edhe sot se skuadrës nga Beogradi nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë. Njësoj atyre u është ndaluar zhvillimi I ndeshjes në fjalë”, ka thënë Radoviq.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë se mund të ndryshojë vendimi që Crvena Zvezda të lejohet të hyjë në Kosovë.

“Nuk e di nëse diçka do të ndryshojë në momentet e fundit por deri më tani vendimi është që të mos lejohet hyrja e Crvena Zvezdës në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

FFK-ja kërkoi nga FIFA që të pengojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke u thirrur në të drejtën e garantuar si organizatore e vetme e garave të futbollit në territorin e Kosovës.

Por FIFA, befasisht, mori qëndrim që shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të futbollit kosovar dhe FFK-së.

Duke u thirrur në një vendim të Gjykatës për Arbitrazh Sportiv, përkatësisht në një nen të vendimit të CAS-it kur refuzoi ankesën e Federatës së Serbisë ndaj vendimit të UEFA-s për pranim të Kosovës, FIFA ka inkurajuar FFK-në që të tërheqë kërkesën e bërë në organet e sigurisë së Kosovës, në mënyrë që ndeshja të zhvillohet.

FIFA është thirrur në një pikë të vendimit të CAS-it ku thuhet se “Fakti që klube të caktuara në veri të Kosovës aktualisht luajnë nën juridiksionin e Federatës së Serbisë, nuk minon autoritetin e përgjithshëm organizues të FFK-së në territorin e vet, që është dëshmuar me aplikimin për anëtarësi të FFK-së”.

SHPËRNDAJE