Çka bëjnë gratë gjithë ditën? – Themelojnë universitete!

Kush e themeloi Universitetin e parë në botë? – Një grua.

Në prag të regjistrimeve nëpër Universitete, mendojeni sa e parrokshme do të ishte sikur t’ua kthente ashtu rehat, një ditë, shoqja juaj e ngushtë: “Oh jo, unë nuk e vazhdoj shkollimin!”

Tani kujtohuni që është plotësisht absurde ideja se në fakt, vetëm para një gjenerate, këtu tek ne ishte e kundërta e kësaj fjalie ajo që shumë kujt ia rrënqethte mishin, ”Uuu tybistikfa, do ta çoje çikën n’shkollë”. Të këtilla shprehje kanë aq shumë gabime logjike, o Zot! Më i madhi gabim është se kjo mbyllje, izolim i vajzave është bërë pikërisht në emër të Zotit.

Këto si e si, të kaluara qofshin e mos u kthefshim pas kurrë kësisoj. Por pas do të kthehemi sot, dhe atë shumë shumë më pas në të kaluarën, më shumë se 1000 vite më parë, në Marok.

Pse?

Ta njoftojmë Fatima al-Fihrin, gruan që e themeloi universitetin e parë në botë.

Atë që e njohim ne si Universiteti më i vjetër në botë, ai të Bolonjës, në fakt është krijuar shumë më pas Univerzitetit të Marokut, “Univerziteti al-Qarawiyyin” që Fatima i dha emrin e qytetit të saj të lindjes, në Tunis. Univerzstet ky që ekziston ende dhe e mban veten mirë!

Fatima vinte nga një familje e pasur dhe fisnike, dhe bashkë me të motrën ishin të dalluara në mësime. Familja e tyre u shpërngul në Marok dhe pas vdekjes së të atit, Fatima vendosi që trashëgiminë e tij ta shpenzojë në shërbim të vendit ku jetonte, ku edhe kishte vërejtur mungesën e theksuar të një institucioni të studimeve të larta, megjithëse qyteti Fez i asaj kohe ishte një metropol kozmopolit plotë jetë. Në fakt, medresetë e studimeve religjioze në atë kohë nuk ishte se mungonin nëpër të gjitha zonat e banuara nga muslimanët, por gjenialiteti i Fatimas ishte se ajo përmes godinës së madhe që e ngriti, strukturoi edhe studime të përgjithshme në lëmi të tjera të rëndësishme si Gramatika, Matematika, Muzika, Medicina, Astronomia. Ajo poashtu e pa të udhës që studiuesit e dalë nga ky Universitet të pranonin dilpomën që e vinte në pah kësisoj dedikimin e dhënë. Aty bashkë me klasat gjeje edhe bibliotekat e para universitare të kategorizuara sipas studimeve, hapësira për lutje, qendër rekreacioni. Për një kohë shumë të shkrurtër, kjo qendër e diturisë u bë më e kërkuara në botë dhe mendjet më të ndritura të kohës kërkonin mësimet e këtij vendi.

Për ata që e njohin juristin Ibn Arabi, apo historianin Ibn Khaldun, do të ishte kënaqësi ta dinin se edhe këta emra histori-bërës në studimet islame ishin të ndërlidhur me këtë Universitet, ashtu si edhe nga ana tjetër e botës erdhi edhe studenti i cili më vonë do të bëhej Papa Silverster II.

A e kanë ditur stërgjyshërit e gjyshërit tanë këtë gjë, gjatë këmbënguljeve të tyre për të djallëzuar vajzat me shkollë? Sigurisht që jo. Por njohja e këtij fakti tani ngreh pluhur edhe mbi ca pyetje të tjera të rëndësishme:

  • Fatima al Fihri, a shkoi të fshihet me pasurinë e saj nëpër skutat e familjeve të tjera fisnike për të ruajtur zonën e saj të rehatisë krahas dukurive të pahijshme që po hetonte në metropolin e asaj kohe, apo mblodhi një ekip mjeshtrish të fuqishëm e ju dha detyrën të ndërtonin një shkollë të madhe, për t’i luftuar këto dukuri përmes dijes?
  • Pasiqë i vdiq i ati, dhe më vonë edhe bashkëshorti, a u shkri ajo mes grashë të tjera në “turpin” e pabazë, apo kapi fletoren dhe e hartoi ardhmërinë e saj dhe të qytetit ku jetonte?
  • Fatima, e ve, e pasur, me shumë influencë, a i përdori ajo këto përparësi për ta lustruar imazhin e saj vetjak kundrejtë grave të tjera të asaj kohe, apo burrave? E dimë që jo. E dimë tashmë se ajo e shpenzoi të gjithë pasurinë e vet për të mirën e madhe, të shoqërisë.

Në prag të regjistrimeve, nga nëna e fakulteteve dikush do të marrë mësime të Muzikës, tjetër kush të Matematikës, ndërsa ne sot: të të qenit një Grua e fortë, shumë e fortë!

Autore: Valmira Bajrami

supergratë. ©

SHPËRNDAJE