Cilësia e naftës mbetet e dyshimtë, dogana blen pak pajisje për kontroll

Cilësia e derivateve të naftës mbetet shumë e dyshimtë në tregun e Kosovës. Dogana po përballet me mungesë të pajisjeve për kontrollin e cilësisë së naftës. Për këtë arsye, ky institucion së fundmi ka blerë edhe disa pajisje. Ndërkohë, vetëm gjatë këtij viti, pajisjet e doganës identifikuan 19 autobote me derivate të naftës, të cilat u kthyen mbrapsht në kufi.

Si pasojë e naftës së keqe, automjetet në Kosovë po prishën më shpjet se në vendet e tjera. Cilësia e derivateve të naftës është e pasigurt si pasojë e mangësive të shumta në sistemin e kontrollit dhe monitorimit. Shqetësues është fakti që në import dhe në tregun e brendshëm aktualisht testohet një numër tejet i vogël i parametrave të cilësisë si dhe mungesa e ndërmarrjes së masave në treg të brendshëm ndaj derivateve që rezultojnë jo konforme për t’i larguar ato nga pikat e shitjes. Kështu ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin më të ri për cilësinë  naftës.

Dogana e Kosovës po ballafaqohet me mungesë të pajisjes të natyrës së matjes së cilësisë së derivateve. Pak para se të publikohej raporti, prokurimi i doganës kishte hapur një tender për matjen e cilësisë së derivateve, të cilin e ka realizuar para pakë ditësh, shkruan lajmi.net.

Tenderi quhet “Furnizimi i laboratorit me pajisje analizuese”, me qëllim të përgjigjes së kërkesave që kanë të bëjnë me klasifikimin tarifor të mallrave”. Ky tender është i ndarë në dy pjesë. Pjesën e parë “Pajisje analizuese për produkte të derivateve të naftës” e kanë fituar komnapnitë N.T.SH. BIZUN & Mc Labor doo, në vlerë 114.377,40 euro. Pjesa e dytë “Pajisje analizuese për përcaktim të amidonit dhe për përdorim të përgjithshëm laboratorik”. Edhe këtë pjesë e kanë fituar fituar N.T.SH. BIZUN & Mc Labor doo në vlerë prej 83.544,00 eurove.

Dogana testoi 5.86% të naftës, shpreson se me pajisjet e reja do të rritet shifra 

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës ka thënë se pajisjet që i posedon Dogana janë blerë për qëllime të klasifikimit tarifor por që të njëjtat me rastin e marrjes së kompetencës për zbatim të UA 01/2017 janë përdorur  për cilësi të derivateve të naftës, pasi që punojnë me metoda standarde për kontrollim edhe te cilësisë e të parapara sipas UA 01/2017 të MTI për cilësinë e derivateve të lëngëta të naftës dhe me standardet ndërkombëtare EN ISO dhe ASTM.

“Dogana ka pasur mungesë të pajisjeve dhe akoma ka mungesë të pajisjeve, por që numri i tyre vazhdimisht është duke u shtuar. Me blerje të pajisjeve të reja do të rritet nr. i parametrave që do të testohen, si nga aspekti i cilësisë ashtu edhe nga aspekti i klasifikimit tarifor”, tha Stavileci për lajmi.net.

Cilësia e keqe, u kthyen mbrapa 19 autobote me derivate të naftës

Sektori i derivateve të naftës, i njohur dhe si tregu më fitimprurës në Kosovë, karakterizohet me parregullsi të shumta, që nga importi e deri të shitja më pakicë e këtij produkti.

“Gjatë këtij viti janë kthyer mbrapa 19 autobote me derivate të naftës pasi që cilësia e tyre nuk ishte në përputhje me UA 01/2017”, tha tutje zëdhënësi i doganës.

Sipas tij, prej fillimit të këtij viti deri me sot,  në Kosove janë futur rreth 19876 ngarkesa.

Ai tha se për vitin 2019,deri me sot janë kryer rreth 1166 testime e qe është rreth 5.86%.  “Kjo shifër është mbi praktikat Evropiane qe janë 3-5%”, tha tutje ai.

Auditori dyshon për cilësinë e naftës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin të performancës me titull ‘Kontrolli dhe monitorimi i cilësisë së derivateve të naftës’. Auditori ka ngritur dyshime për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë. Auditori ka thënë se ka ka mangësi në sistem, ku është vënë në pikëpyetje kompetenca dhe besueshmëria e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre. Derivatet e naftës në import menaxhohen nga Dogana e Kosovës, kurse në tregun e brendshëm nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm. Përkundër përpjekjeve për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, kontrolli dhe monitorimi i këtyre produkteve është përcjellë me mangësi të shumta, dhe kjo ka ndikuar që të mos sigurohet cilësia e derivateve të naftës në import dhe në tregun e brendshëm”, thuhet në këtë raport të Auditorit. Sipas këtij raporti, në vitin 2018, 19% e mostrave të shikuara, janë paraqitur në raport të derivateve të tjera të testuara, ndërsa vet nuk ishin testuar, kurse në 5% të mostrave, ka munguar raporti i testimit në sistem si dokument i bashkangjitur.

“Mangësitë në import përfshijnë mungesën e raporteve të testimit laboratorik dhe informatave të plota për Trupat Inspektuese në sistem, pamundësinë e identifikimit të Trupave Inspektuese në raste të caktuara, mungesën e akreditimit të Laboratorit të Doganës, si dhe numrin e ulët të parametrave të testuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Po ashtu, Auditori gjatë këtij procesi ka vërejtur se në Laboratorin e Doganës, nuk posedohet një bazë e të dhënave e plotë, në të cilën evidentohen të gjithë Trupat Inspektuese që angazhohen për marrje të mostrave. Sipas Auditorit, si pasojë kanë rezultuar mungesa e raporteve në sistemin e Doganës, ku evidentohen të gjitha importet e naftës dhe dokumentet përcjellëse të tyre.

Zyra e Auditorit në këtë raport ka gjetur se Laboratori i Doganës ka testuar parametra për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe që nga muaji prill i vitit 2019 kryen testime pa akreditim.“Kontrollet që u bëhen mostrave të përzgjedhura të derivateve të naftës duhet të jenë të besueshme. Kjo nënkupton që kontrollet e derivateve të naftës duhet të realizohen nga Trupa të akredituar. Standardi ISO/IEC 17025 specifikon kërkesat e përgjithshme për kompetencën, paanshmërinë dhe qëndrueshmërinë e funksionimit të laboratorëve. Laboratori ka testuar parametra siç është densiteti në 15ºC dhe që nga fundi i vitit 2018 edhe përmbajtjen e esterit metilik të acidit yndyror (EMAY) për të cilët nuk ka qenë i akredituar, për të verifikuar cilësinë e derivateve të importuara. Gjithsesi, në raport laboratori ka paraqitur faktin se këta parametra nuk ishin të akredituar”, thuhet në raport

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë autoritetet përgjegjëse, Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Tregtisë, që të shtojnë përpjekjet e tyre për ndërmarrjen e veprimeve, për të siguruar cilësinë e naftës në import dhe në treg të brendshëm.

Auditori i Përgjithshëm gjatë ditës së martë (sot) do të bëjë prezantimin e raportit me të gjeturat e veta.

Shoqata ka kërkuar matje më të shpeshta

Lidhur me këtë raport ka folur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani duke e pranuar se edhe ata si shoqatë nuk janë të kënaqur me kontrollimin e cilësisë së derivateve, pasi sipas tij, nuk është arritur të kontrollohet as 5 %.

“Ne nuk jemi të kënaqur me kontrollimin e cilësisë sepse nuk u arrit as 5 % me u kontrollu cilësia”.

Sipas Berjanit është një tendencë që Trupat Inspektues të kthehen nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe kjo kundërshtohet fuqishëm nga Shoqata e Naftëtarëve. Kjo pasi që sipas tij, ata manipulojnë me cilësi e nuk e kryejnë punën si duhet.

“Sa i përket kontrollit të cilësisë, Shoqata e Naftëtarëve ka qenë dhe mbetet që kontrolli i cilësisë të bëhet gjatë importit. Sa i përket mostrimit të kontrollimit të cilësisë nga Trupat Inspektues, ne i kemi kundërshtuar dhe i kundërshtojmë gjithherë sepse Trupat Inspektues vetëm kanë manipulu me cilësi dhe asnjëherë nuk e kanë kontrollu, nuk e kanë ba mostrimin, por vetëm i kanë plotësuar  letrat. Qëndrimi jonë është që Trupat Inspektues duhet të largohen sa më parë. Është një tendencë e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të kthehen ata e të manipulon me cilësi”, ka thënë Berjani.