Challandes: Në Maltë kemi ardhur për fitore

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll Bernard Challandes ka mbajtur konferencë para mediave malteze në prag të ndeshjes Maltë-Kosovë.

Challandes ka thënë se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve.

“E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi gjasa reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshe të mirë dhe shpresojmë të marrim edhe 3 pikët”.

Ai ka theksuar se në futboll nuk ka ndeshje të lehtë dhe se do të aplikojnë lojë sulmuese, dhe se në Maltë kanë ardhur për fitore.

“Unë e pranoj që shikuesit në Kosovë mendojnë se ne po luajmë kundër Maltës dhe do të jetë shumë e mundshme  të arrijmë fitore, por unë si trajner asnjëherë nuk mendoj në atë formë dhe këtë e kam për detyrë t’ua bëjë të qartë edhe lojtarëve se nuk ka ndeshje të lehtë dhe duhet angazhim i madh për fitore. Malta është skuadër shumë e fortë, sidomos kur luan në shtëpi. Jam befasuar me paraqitjen e Maltës kundër Azerbajxhanit, pasi atje shkuan dhe barazuan vetëm tri ditë pas ndeshjes sonë. Unë e kam parë atë ndeshje dhe për këtë arsye kam respekt kaq të madh për Maltën”, shkruan në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Përcjellë Klan Kosova.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe mesfushori Hekuran Kryeziu,është optimist dhe se do ta dëshmojnë në fushë se janë më të mirë se Maltezët.

“Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi përqendruar maksimalisht. Vetëm pas këtij 90-minutëshi, do të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin. Bashkë me trajnerin, e kemi studiuar me kujdes Maltën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën, me shpresën për të marrë maksimumin.