Challandes: Luajtëm një pjesë të dytë shumë të mirë, e kërkuam fitoren



Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka komentuar barazimin me Bullgarinë. Kosova ka luajtur baras 1:1, në ndeshjen e parë të saj drejt kampionatit evropian 2020. Këtë ndeshje e ka komentuar edhe selektori i dardanëve, Bernard Challandes, i cili ka vlerësuar lartë pjesën e dytë të skuadrës. “Është gjithmonë një zgjedhje. Kololli ka luajtur një ndeshje të mirë. Ka qenë vetëm një zgjedhje. Ishte një zgjedhje normale” ka thënë për zgjedhjen e tij për Kolollin startues, shkruan lajmi.net. “Mendoj qe kemi bere një pjesë të dytë shumë të mirë. Ekipi ishte nervoz, por dëshironte të fitonte, nuk ishte e lehtë kundër Bullgarisë, e cila mbrohej shumë mirë. Por, ekipi ka bërë punën e tij, dhe, ajo çfarë është më e rëndësishme është efikasiteti. Nuk kemi qenë në kualitetin më të mirë sot. Jam i kënaqur me skuadrën, por jo edhe me rezultatin” ka shtuar Challandes. “Në pjesën e parë, nuk kam qenë i kënaqur me skuadrën, e kemi mbajtur topin shumë dhe e kemi komplikuar lojën” ishte kritika e zviceranit. Mbetet të shihet cilat do të jenë ndryshimet e Challandes për ndeshjen e ardhshme kundër Malit të Zi.