Çfarë mund të bëni ju që fëmija mos ta lagë shtratin natën

Pavarësisht faktit se mund të keni provuar ta ushtroni fëmijën qysh nga mosha e hershme të urinojë vetëm në tualet, urinimi në shtrat gjatë gjumit mund të jetë ndodhi e zakonshme mes fëmijëve 4 dhe 7 vjeçar.

Përafërsisht 15% e të gjithë fëmijëve të asaj moshe e lagin shtratin të paktën dy herë në javë, transmeton Telegrafi.

Kështu që, nëse ende është duke i ndodh fëmijës tuaj, ju lutem mbani mend se është diçka krejt normale dhe se ka disa gjëra që mund t’i bëni për ta parandaluar këtë fenomen në të ardhmen.

Zvogëlojeni numrin e pijeve para gjumit

Në mënyrë që ta parandaloni fshikëzën urinare të fëmijës të mbushet krejtësisht gjatë mbrëmjes, është e rëndësishme ta kontrolloni sasinë e lëngjeve që fëmija e konsumon gjatë pasdites dhe menjëherë para gjumit.

Lërini fëmijët të pinë mjaftueshëm në mëngjes dhe në drekë, por pastaj në mënyrë të ngadaltë zvogëlojeni atë sasi gjatë ditës. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që fëmija të urinojë menjëherë para se të futet në shtrat për të fjetur.

Shmangni ushqimet e caktuara që e irritojnë fshikëzën urinare

Ka disa lloje ushqimore që e irritojnë fshikëzën te fëmijët, duke shkaktuar që ata të kenë ‘aksidente’ gjatë kohës kur janë duke fjetur sepse nuk kanë mjaftueshëm kontroll mbi fshikëzën urinare.

Shmangni ushqimet që janë shumë acidike, si lëngjet e pemëve që përmbajnë limon, portokall, ananas apo mollë.

Gjithashtu shmangni edhe çokollatën e nxehtë, çajin, pijet freskuese ose çfarëdo pije të gazuar që mund të përmbajë shumë sheqer apo kafeinë.

Dyfishojeni sasinë e magnezit

Sipas hulumtimeve të ndryshme, fëmijët mund të kenë probleme me lagien e shtratit gjatë natës si pasojë e mungesës së magnezit në dietë.

Mungesa e magnezit e zvogëlon reagimin e sistemit nervor, prandaj fëmija është i pavetëdijshëm se kur duhet ta përdor tualetin. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE