Çeferin është kandidati i vetëm për president të UEFA-s

Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, bëri të ditur sot se presidenti aktual, Alexander Çeferin, është i vetmi kandidat për president në kongresin e 43-të të UEFA-s, i cili do të mbahet më 7 shkurt të vitit 2019 në Romë, raporton Anadolu Agency (AA).

UEFA në arsyetimin e saj thotë se Çeferin është i vetmi kandidat, nga shkaku se brenda afatit konkurrues i cili ka skaduar më 7 nëntor, nuk është paraqitur asnjë kandidat tjetër, me çka rizgjedhja e tij, tashmë është punë e kryer.

Përveç kësaj, UEFA sot publikoi edhe emrat e kandidatëve të cilët do të garojnë për një post të nënpresidentit në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) ku i vetmi që garon është Sandor Csanyi nga Hungaria ndërsa anglezi Greg Clarke dhe Martin David nga Irlanda Veriore janë dy kandidatët të cilët garojnë për një post të anëtarit të rëndomtë në Këshillin e FIFA-s.

Për komitetin ekzekutiv të FIFA-s, UEFA ka nominuar gjermanin Reinhard Grindel, portugezin Fernando Gomes dhe Georgios Koumasin nga Qiproja greke.