Çdo ditë rreth 4.500 persona në botë vdesin nga tuberkulozi

Sëmundja e tuberkulozit pavarësisht nga masat globale vazhdon të jetë një nga problemet kryesore që ndikojnë në shëndetin publik. Çdo ditë rreth 4.500 persona në botë vdesin për shkak të tuberkulozit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2017 ka patur 10 milionë persona të sëmurë me tuberkuloz ndërsa 1.6 milionë persona kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Sëmundja e tuberkulozit, e cila renditet si një nga 10 shkaqet kryesore të vdekjes, pavarësisht se është e shërueshme dhe ka shumë punime nga shumë organizata dhe kryesisht të OBSH-së që synojnë rritjen e vetëndërgjegjësimit ajo u shkakton vdekjen shumë njerëzve, përfshirë edhe fëmijët. Për shkak të tuberkulozit çdo ditë në botë vdesin rreth 4.500 persona.

Sipas OBSH-së, rreth 1 milion fëmijë në vitin 2017 kanë qenë bartës të mikrobit të tuberkulozit dhe 230 mijë fëmijë kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Derisa tërhiqet vëmendja se në kuadër të trajtimit efektiv, njerëzit mund të shpëtojnë nga tuberkulozi thuhet se falë kësaj gjatë viteve 2000 dhe 2017, janë shpëtuar jetët e 54 milionë të sëmurëve me tuberkuloz.

Në këtë kuadër edhe pse numri i rasteve të tuberkulozit ka rënë me 2 për qind në vit, OBSH thekson se kjo duhet të rritet në një nivel prej 4-5 për qind për të arritur qëllimet e strategjive “elimino turbekulozin në 2020”.

Tuberkulozi më së shumti është i pranishëm në Azinë Juglindore

Azia Juglindore kryeson si rajoni ku tuberkulozi vërehet më shpesh me një normë prej rreth 44 për qind. Kjo pasohet nga kontinenti i Afrikës me 25 për qind dhe rajoni i Paqësorit Perëndimor me 18 për qind.

Më tej thuhet se 7.7 për qind e personave me tuberkuloz në botë janë ata që jetojnë në Mesdheun Lindor, 2.8 për qind në kontinentin e Amerikës dhe 2.7 për qind në Evropë.

Dy të tretat e rasteve të tuberkulozit në mbarë botën janë të përqendruara në vendet si Indi, Kinë, Indonezi, Filipine, Pakistan, Bangladesh dhe Afrika e Jugut.

Ndërsa Rumania dhe Bullgaria janë vendet që renditen në krye ku vërehet më së shumti tuberkulozi në Evropë.

24 marsi, Dita Botërore e Tuberkulozit

Më 24 mars, që është shpallur si Dita Botërore e Tuberkulozit, vëmendja e të gjithë botës është në shërimin e sëmundjes së tuberkulozit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për t’u mbrojtur nga sëmundja.

Në Ditën Botërore të Tuberkulozit 2019, OBSH trajton temën e “Ka Ardhur Koha”, ku thekson masat që duhen marrë për të minimizuar nivelin e rasteve të turbekulozit.