Çavuşoğlu: Sulmi i regjimit të Asadit në Idlib është krim kundër njerëzimit

Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu sot pas një takimi në prefekturën e qytetit Isparta të Turqisë e ka cilësuar si krim kundër njerëzimit sulmin kimik në Idlib të Sirisë në të cilin mbetën të vdekur mbi 100 persona dhe u ndikuan 500 të tjerë, duke shtuar se kjo vepër duhet ndëshkuar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ky është krim kundër njerëzimit dhe duhet ndëshkuar. Megjithatë, jam i sigurtë se ata që përpiqen të japin leksion për të drejtat e njeriut dhe bota perëndimore, e cila është treguar e ngathët edhe pse edhe më parë është kaluar vija e kuqe, do të përpiqen ta fshehin këtë. Kjo është e papranueshme për ne dhe mund të shkaktojë prishjen e tërë procesit”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se si pasojë e sulmit kimik jetën e kanë humbur afër 150 persona, në mesin e të cilëve ka pasur edhe gra dhe fëmijë, duke nënvizuar se regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij prej vitesh po vrasin njerëz në mënyrë mizore pa bërë dallime.

Ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu dënoi sulmin në fjalë, teksa tërhoqi vëmendjen se kjo nuk është herë e parë që ndodh sulm kimik në rajon.

Ndryshe, sot në orët e mëngjesit rajoni Han Shejhun i Idlibit u godit me armë kimike me përmbajtje të gazit klorin, ku si pasojë numri i të vdekurve kaloi mbi 100, kurse 500 të tjerë u ndikuan nga gazi, prej të cilëve 100 më rëndë.