Cakaj: Shqipëria bojkoton ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria e ka bojkotuar ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel, i cili këtë vit i është ndarë shkrimtarit Peter Handken.


Cakaj thotë se e kanë urdhëruar ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që ta bojkotoj këtë ceremoni për shkak të bindjeve se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon.

“Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit. Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi”.

“Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovim të marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë”, tha Cakaj.