Cakaj: Nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të mundësuar çeljen e negociatave për anëtarësim në BE

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka njoftuar se sot ka qenë i ftuar i posaçëm në Komisionin për Integrimin Evropian për të dhënë llogari mbi ecurinë e zhvillimit të procesit të integrimit.

Ai tha se pas një raportimi të hollësishëm në Komision kanë rënë dakord për një bashkërendim të shtuar të veprimeve të përbashkëta diplomatike dhe parlamentare në shërbim të perspektivës evropiane të Shqipërisë, njofton Klan Kosova.

Ja postimi i plotë:

Sot isha i ftuar i posaçëm në Komisionin për Integrimin Evropian për të dhënë llogari mbi ecurinë e zhvillimit të procesit të integrimit

Raportuam hollësisht mbi mbarëvajtjen e punëve teknike në procesin e përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian, përmbushjen e kushteve të domosdoshme për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE dhe zhvillimin e fushatës politike e diplomatike për të bindur vendet anëtare për domosdoshmërinë e një përgjigje pozitive për Shqipërinë në tetor.

Po ashtu, në Komision ramë dakord për një bashkërendim të shtuar të veprimeve të përbashkëta diplomatike dhe parlamentare në shërbim të perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje institucionale, politike apo diplomatike për të mundësuar çeljen e menjëhershme të negociatave për anëtarësim në BE !