Bytyqi: Goran Radosavljeviq përgjegjës për vrasjen e vëllezëve të mi, por Vuçiq nuk po e dorëzon

Njëzet vjet më parë, trupat e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u gjetën një varrezë masive në Petrovo Sello të Serbisë.

Ndonëse kanë kaluar dy dekada, vrasja e tre vëllezërve Bytyqi që ishin edhe shtetas amerikanë nuk është zbardhur.

Vëllau i tyre Ilir Bytyqi ka treguar se si e ka marrë ai dhe familja lajmin e trishtë për vrasjen e tre vëllezërve të tij nga forcat serbe.

“Lajmi ishte shumë i trishtë për mua dhe familjen time. Ishte shumë shumë lajm i pabesueshëm. Ne e morëm vesh nga agjencione të ndryshme dhe me ndihmën e Organizatës së të Drejtave të Njeriut”.

“Në korrik të vitit 1999, ish-ministri serb Lukiq e kishte dhënë lajmin në media se trupat e vdekur mbi varrezën masive që është gjetur në Petrovo Sello ishin tre trupat e vëllezërve Bytyqi”.

“Ata ishin identifikuar nga letrat që i kishin në xhep nga Gjykata e Prokuples që ishin dënuar me 15 vjet burgim dhe më pas ishin liruar për sjellje të mirë”.

“Një ligj që vlen në gjithë botën është që t’i lirojë personat në vendin ku janë arrestuar. Por, shteti serb nuk e zbatoi këtë ligj. Serbia i ka marrë vëllezërit e mi nga Prokupla dhe i ka dërguar në Petrovo Sello ku aty i kanë torturuar për disa ditë dhe më pas i kanë ekzekutuar”.

“Ishte lajm shumë i keq për familjen time”.

Bytyqi në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës me një shqipe jo shumë të mirë ka thënë se ai dhe familja e tij nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi.

Madje, ai ka thënë se nëse një ditë nuk do të jetë më gjallë, fëmijët e tij do ta kenë amanet që të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

“Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ne do të ecim përpara për drejtësinë. Nuk do të ndalemi as unë dhe as familja ime”.

“Nëse nuk jam unë në këtë jetë më, djali im ose vajza ime do të vazhdojnë rrugën për të kërkuar drejtësi që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë”.

“Ne po i përdorim të gjitha mjetet juridike dhe politike derisa të vijë drejtësia në vend dhe kriminelët të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin më maksimal që e meritojnë”.

Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi janë heronj të Kosovës dhe vazhdimisht nderohen edhe nga krerët më të lartë institucionalë.

Por, a nderohen ata edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qenë se ata ishin edhe shtetas amerikanë?

“SHBA i trajton si njerëz të vlefshëm. Amerika e konsideron Kosovën si aleat shumë të afërt, ashtu si edhe Kosova Amerikën. Të gjithë në Kosovë janë pro-amerikanë”.

“Shteti amerikan i respekton vëllezërit e mi dhe janë gati të ndërmarrin edhe hapa të tjerë ligjorë që kriminelët të kapen dhe të dalin para drejtësisë”.

Sa ka arritur drejtësia – vendore dhe ndërkombëtare – ta japë një verdikt të duhur për krimet mizore që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë?

“Besoj që Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka bërë shumë për të kërkuar që kriminelët e luftës të dënohen maksimalisht për të gjitha krimet që i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës”.

“Kisha kontakt me disa prokurori dhe besoj që janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme. Jemi falenderues për të gjithë ata që bëjnë thirrje dhe punojnë që drejtësia të vijë në vendin e duhur”.

Ai ka akuzuar edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq që nuk po e dorëzon Goran Radosavljeviq-Guri që është përgjegjësi kryesor për këtë krim makabër.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e ka ndërmend ta dorëzojë Goran Radosavljeviq- Guri duke e ditur pozicionin e fuqishëm që e ka me subjektin e tij politik, pasardhës të Vojsllav Sheshelit”.

“Nëse Serbia vazhdon kështu duke i mbrojtur kriminelët, si do ta dërgojë presidenti Aleksandar Vuçiq vendin e tij në të ardhmen europiane?”.

“Si do ta dërgojë Aleksandar Vuçiq Serbinë në të ardhmen europiane kur nuk mund t’i dorëzojë kriminelët e luftës si puna e Goran Radosavljeviq që e ka në krahun e tij?”.