Buxheti shteret nga pensionet e veteranëve – rreth 26 milionë euro për katër muaj

Ndonëse në opinion ishte shkaktuar bujë shumë e madhe për dëmin që pensionet e veteranëve të UÇK-së po i shkaktojnë buxhetit të shtetit, kjo çështje nuk është rregulluar ende nga institucionet.

Me të filluar ky vit, për këtë kategori u shpenzua një shumë mjaftë e madhe parash, shkruan lajmi.net.

Nga të dhënat e siguruara nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për lajmi.net, është bërë e ditur se vetëm në muajin janar për pensionet e ish-luftëtarëve të UÇK-së u shpenzuan 6 milionë e 418 mijë euro.

E, 5 mijë euro më shumë u ndanë në muajin shkurt, respektivisht plot 6 milionë e 423 mijë e 148 euro. Mirëpo kjo shumë nuk qëndroi statike as për muajt mars e prill.

Plot 6 milionë e 401 mijë euro ishin ndarë në mars për veteranët e UÇK-së, që në total për tre muaj nënkupton se u shpenzuan mbi 19 milionë euro. Ndërsa në prill u shpenzua ndryshe nga muajt paraprak.

Mbi 6 milionë e 432 mijë euro u harxhuan nga buxheti i shtetit vetëm për pensionet e veteranëve.

Nga një përllogaritje e thjeshtë, i bie që për veteranët e UÇK-së u shpenzuan hic më pak se 25 milionë e 728 mijë euro për katër muaj.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale se pse shuma e ndarë për këtë kategori është duke ndryshuar çdo muaj, mirëpo nuk e kanë parë të arësysheme të përgjigjen.

Kujtojmë, se institucionet e Kosovës ishin kritikuar ashpër për shpenzimin e buxhetit për veteranët e UÇK-së.

Madje një deklaratë e ambasadorit zviceran në lidhje me këtë çështje kishte shkaktuar reagime të mëdha politike.

Vetëm këtë vit, janë planifikuar të ndahen mbi 57 milionë euro për këtë kategori, shumë kjo e cila pritet të tejkalohet nga trendi i shpenzimeve mujore.

SHPËRNDAJE