Burgosja e Dijetarit të njohur Dr. Sefer el-Havali

Me të vërtetë burgosja e dijetarëve dhe thirrësve është një prej cenimeve më të mëdha i të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes. Në veçanti kur pretekst për arrestimin e tyre bëhet ndonjë këshillë, lutje për të mirë, apo botimi i ndonjë libri që në vete ngërthen mësime të mirëfillta islame. Këtë barrë e rëndon edhe më shumë kur kjo vije në një kohë kur e tërë bota e civilizuar po trumbeton pa pushim duke kërkuar liri dhe të drejta për kafshët, ngase liria dhe të drejtat e njeriut sipas tyre janë çështje të mbyllura dhe që i përkasin të kaluarës.

Megjithatë ne duhet ende të përballemi me gjëra shumë esenciale dhe shumë elementare edhe përkundër asaj që thirremi në parimet e Kuranit dhe mësimet e Profetit s.a.v.s. Të gjithë e dimë se sipas parimeve islame askush nuk qëndron mbi ligjin dhe askush nuk gëzon privilegje apo autoritet të mbi-ligjshëm, por që realisht veprojmë të kundërtën e saj.

Një gjë të tillë janë duke e praktikuar, fatkeqësisht, autoritetet saudite të cilat në vazhdimësi janë duke bërë cenimin e lirisë së shprehjes dhe këtë në formën më të vrazhdë të mundshme dhe për shkaqet më absurde. Kjo është duke ndodhur me anë të arrestimeve dhe burgosjes së dijetarëve dhe thirrësve eminent që jetojnë dhe veprojnë brenda Arabisë Saudite dhe arsyeja e vetme është se këta kanë adresuar udhëzime, këshilla apo qoftë edhe lutje të tyre për bashkim dhe unitet në adresë të udhëheqësisë së vendit.

Rasti më i fundit që ka bërë bujë të madhe në mbarë botën islame ka qenë edhe arrestimi dhe burgosja, e para disa ditëve, e dijetarit të njohur Sefer el-Havali.

Sipas agjencisë me renome ndërkombëtare Al-Jazeera, që i referohet një burimi informativ në Twitter (Burgosësit e Mendimit apo معتقلي الرأي) arsyeja kryesore e arrestimit të el-Havalit ka qenë botimi i librit të tij ‘’Myslimanët dhe qytetërimi perëndimorë’’, ku sipas tyre libri në fjalë përmban disa këshilla dhe sugjerime që u adresohen udhëheqësisë shtetërore të Arabisë Saudite, me theks të veçantë familjes Al-Saud.

Ndërsa sipas të njëjtit burim informativ, arrestimi i tij ishte bërë nga njësiti special i forcave ushtarake saudite dhe të cilët, për të shmangur trazira eventuale, kishin përdorur autoambulancë duke bërë kështu që familjarët, të afërmit dhe bashkëqytetarët e tij të mendonin se ai ishte duke u transferuar në spital pasi që edhe ashtu nuk qëndron aspak mirë me shëndet. Në të njëjtën kohë, i është bastisur edhe shtëpia e vëllait të tij si dhe janë arrestuar dy prej djemve të el-Havalit.

Por, kush është në të vërtetë Dr. Sefer el-Havali?

Dr. Sefer el-Havali është një prej dijetarëve të njohur të botës arabe dhe asaj islame, por po ashtu ai është i njohur edhe për mendimtarët dhe shkrimtarët e njohur perëndimorë. Ai ka një prezencë dhe ndikim të madh në media, qoftë të shkruara apo pamore, si dhe një prezencë dhe ndikim të madh, si brenda po ashtu edhe jashtë Arabisë Saudite. Emri i tij është lakuar edhe në shumë libra dhe studime nga shumë prej perëndimorëve që janë marrë me çështjen e lindjes së mesme, e në veçanti të botës arabe. Një prej tyre është edhe Samuel P. Huntington, autori i librit ‘’Përplasja e Qytetërimeve dhe Ribërja e Rendit Botërorë’’.

Ngritja e tij kishte filluar që nga lufta e Gadishullit Arabik, ku ai kishte befasuar që të gjithë me ligjërimet e tija që refuzonin haptas kërkimin e ndihmës dhe mbështetjes nga forcat e jashtme. Ai u shqua për guximin e tij, që t’i kundërvihej haptas politikës së atëhershme që udhëhiqej nga Mbreti Fehd si dhe Këshillit të Lartë të Dijetarëve që udhëhiqej nga AbdulAziz bin Bazi, Allahu xh.sh e mëshiroftë.

Ai kishte dal jashtë oazës së ligjërimit klasik dhe kishte ofruar një formë të re të ligjërimit islam dhe qasjes politike në vend, e që kryesisht kishte të bënte me luftën e Gadishullit Arabik që kishte ndodhur në vitin 1973. Të gjitha këto i kishte përmbledhur në librin e tij ‘’Heqja e mjegullës të dijetarëve të Ummetit’’ (كشف الغمة عن علماء الأمة), e që me theks të veçantë i drejtohej Ibn Bazit dhe Ibn Uthejminit. Libri në fjalë nxirrte në pah planet e superfuqive kundër Gadishullit Arabik.

El-Havali, në një prej ligjëratave të tij me titull ‘’Bota Islame nën hijen e marrëveshjeve ndërkombëtare’’, kishte paraparë çështje dhe ndodhi shumë të rëndësishme siç ishte lufta e Kuvajtit dhe të tjera.

Sefer el-Havali, fakultetin e ka të përfunduar në Medine, në Universitetin Islamik të Medinës në Fakultetin e Sheriatit. Ndërsa pas përfundimit të tij, për shkak të suksesit të lartë që kishte treguar, me anë të një reference nga vetë Universiteti Islamik dërgohet për studime të mëtutjeshme në Mekke. Aty ai studion Bazat e Besimit dhe Fraksionet Bashkëkohore. Gjatë qëndrimit të tij në Mekke, kishte takuar Muhammed Kutubin dhe nga i cili ishte ndikuar tej mase.

Sefer el-Havali, së bashku me shumë prej dijetarëve, thirrësve dhe mendimtarëve më eminent të Arabisë Saudite kishin marrë mbi supet e tyre përgjegjësinë e themelimit dhe të formësimit të një shkolle të re dhe fryme të re të ligjërimit dhe të mendimit islam brenda dhe jashtë Arabisë Saudite.

Hawali, së bashku me Selman el-Avdeh dhe Ivad el-Karnin kishin marrë përgjegjësinë e vetëdijesimit të rinis islame në aspektin e koncepteve dhe të botëkuptimeve që kishin të bëjnë me çështjet e besimit. Nasir el-Umeri kishte marrë barrën e edukimit dhe të ngritjes në nivel të normave të moralit dhe etikes tek të rinjtë. Ndërsa Aid el-Karni, Ali el-Karni dhe shumë të tjerë kishin marrë përsipër ngritjen e anës shpirtërore tek rinia. Si e tillë, kjo frymë e re kishte për qëllim nxjerrjen e gjeneratave të reja që do ishin të shkolluar dhe të stolisur me një Islam të ekuilibruar dhe që ishte komplet ndryshe nga forma klasike e mësimit të Islamit, që udhëhiqej nga AbdulAziz bin Bazi.

Sefer el-Havali është autor i dhjetra librave, shkrimeve autoriale, studimeve dhe hulumtimeve shkencore. Ndërsa shquhet me aftësinë e tij që çështjet e besimit dhe bazave të islamit t’i shpjegojë në frymën bashkëkohore dhe në përputhje me ngjarjet aktuale.

Ai është arrestuar, për herë të fundit me 12 korrik 2018 edhe përkundër moshës së shtyer dhe gjendjes aspak të mirë shëndetësore. Andaj, siç shihet shkaku i arrestimit të tij nuk ka qenë thjesht botimi i një libri, por pozicionimi i tij në anën e së vërtetës dhe tentativa për të ndryshuar gjendjen e vendit të tij. Me mendimet dhe predikimet e tij, ai çdoherë kishte qenë halë në sytë e pushtetit dhe libri i tij i fundit vetëm sa u bë prektekst, ngase llogaria e tij ishte mbushur prej kohesh.

Nga Mr.Artan Musliu

SHPËRNDAJE