Bunjaki publikon listën e futbollistëve për ndeshjen me Turqinë

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki sot publikoi listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2018 ndaj Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prag të ndeshjes kualifikuese Kosovë – Turqi përzgjedhësi Bunjaki në një konferencë për media bëri analizën e skuadrës së tij në pesë ndeshjet e para kualifikuese. Ai tha se grupi I ku ndodhet Kosova, është grupi më i mirë i mundshëm për këtë kombëtare të re, meqë sipas tij, në këtë grup ka kundërshtarë të nivelit të lartë si Kroacia, Turqia e Ukraina, të cilët detyrojnë që kjo skuadër të zhvillohet dhe të marrë përgjegjësi.

Duke folur për ndeshjen Kosovë-Turqi, Bunjaki tha se pret një lojë shumë më të vështirë nga ato të deritanishme, por shtoi se edhe përfaqësuesja e Kosovës tani është në ngritje dhe se ka treguar që di të krijojë raste e të ketë lojë të organizuar. Ai shtoi dëshirën e fitimit të pikëve të para në këtë ndeshje, e cila sipas tij, do ta relaksonte këtë skuadër nga presioni.

“Loja me Turqinë do të jetë pak më ndryshe. Sipas mendimit tim do të jetë loja më e vështirë që ne kemi luajtur deri tash. Ngase hyjmë në atë fazë që një fitore dhe një humbje bën shumë dallim, sidomos për kombëtaret të cilat tanimë luftojnë për vendin e parë e të dytin. Ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë maksimalisht përvojën që e kemi fituar. Do të mundohemi ta shfrytëzojmë edhe pozitën tonë, pavarësisht pse nuk luajmë në Kosovë e luajmë në Shqipëri, mendoj që përkrahja gjithmonë ka qenë dhe do të jetë”, tha Bunjaki.

Kurse mesfushori i Kosovës, Enis Alushi, tha kombëtarja turke ka një kualitet jashtëzakonisht të mirë në mesin e fushës dhe në mesfushorët anësorë.

“Detyra jonë kryesore duhet të jetë ta mbajmë mbrojtjen stabile dhe kompakte, mos t’i japim shanse Turqisë të depërtojë në gol sepse kualitetin e kanë shumë të lartë në sulm dhe në mesfushën anësore, ajo që na ka bërë probleme më së shumti në lojën e parë. Nëse jemi 100 për qind të koncentruar dhe të organizuar në mënyrë defansive mendoj që do të kemi shanse të mira për të arritur një rezultat pozitiv për ne”, tha Alushi.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki sot shpalli edhe listën e futbollistëve për ndeshjen kundër Turqisë. Të ftuar për këtë ndeshje janë:

– Portierë: Samir Ujkani (AC Pisa), Adis Nurkoviç (NK Travnik), Bledar Hajdini (KF Trepça 89)

– Mbrojtës: Alban Pnishi (Grasshoper CZ), Amir Rrahmani (NK Lokomativa), Avni Pepa (IBV), Mergim Vojvoda (Mouscron), Benjamin Kololli (FC Laussane), Fidan Aliti (NK Slaven Belupo), Lirim Kastrati (AS Roma)

– Mesfushorë: Enis Alushi (Maccabi Haifa FC), Hekuran Kryeziu (FC Luzern), Herolind Shala (Kasimpasa S.K.), Anel Rashkaj (AFC Eskilstuna), Besar Musolli (KF Kukësi), Bernard Berisha (Terek Grozny), Valon Berisha (Salzburg), Arbër Zeneli (Hereenveen), Donis Avdiaj (Schalke 04), Milot Rashica (SSV Vittese)

– Sulmues: Besart Berisha (Melbourne Victory FC), Atdhe Nuhiu (Sheffield Wendesday), Vedat Muriqi (Gençlerbirligi S.K.)

Rikujtojmë se Kosova ndodhet në grupin I, së bashku me Kroacinë, Turqinë, Islandën, Finlandën dhe Ukrainën. Ndeshja me Turqinë, e cila do të zhvillohet më 11 qershor në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër është ndeshja e gjashtë e radhës dhe Kosova tani gjendet në vendin e gjashtë në grup, me 1 pikë kurse Turqia në vendin e katërt me 8 pikë.