Bunjaki nuk ndien përgjegjësi për disfatat e thella

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, nuk ndien përgjegjësi për paraqitjen e Kosovës në dy ndeshjet e humbura thellë. Kosova të enjten në Shkodër pësoi 6:0 nga Kroacia, ndërsa të dielën në Krakow të Polonisë pësoi 3:0 nga Ukraina.

Bunjaki të hënën për gazetën ka thënë se prapë do të bënte zgjedhjet e njëjta për këto dy ndeshje, ndonëse humbjet u vlerësuan shumë të rënda, sidomos ajo ndaj Kroacisë. Në ciklin e parë eliminator të saj, atë për botërorin “Rusia 2018”, Kosova tashmë i ka tri ndeshje, ndërsa është e fundit në Grupin I me një pikë, sa ka edhe Finlanda, shkruan Koha Ditore. Pikërisht me Finlandën Kosova barazoi më 5 shtator në Turku (1:1), ndërsa dy ndeshjet e javës së kaluar u vlerësuan fiasko e vërtetë.

Por të njëjtin mendim nuk e ndanë Bunjaki. Ai vazhdon të flasë me optimizëm për të ardhmen, ndërsa thotë se fokusi është në eliminatoret për “Euro 2020” që nisin afërsisht dy vite më vonë.

Në fakt pas ndeshjes me Kroacinë, ndaj Bunjakit dhe lojtarëve të përzgjedhur prej tij, pati shumë akuza nga njohës të futbollit në vend dhe tifozë të Kosovës. Bunjaki ka deklaruar se nuk e di çka është thënë e çka është shkruar dhe nuk është i njoftuar për akuzat në drejtim të tij.