Bullgari – Kosovë: Statistikat e skuadrave në ndeshjet e fundit, Dardanët qëndrojnë më mirë

Në Sofje të Bullgarisë, kombëtarja e Kosovës sonte luan ndeshjen e radhës, në rrugën e saj drejt Euro 2020.

Kosova futet në këtë ndeshje pas dy barazimeve radhazi, një kundër Malit të Zi dhe një pikërisht kundër Bullgarisë, por me një rekord të jashtëzakonshëm prej 13 ndeshjeve pa humbje (608 ditë).

Lojtarët e Bernard Challandes synojnë tri pikët, njësoj sikur bullgarët, për të cilët kjo ndeshje po cilësohet si vendimtare.

Kombëtarja e Kosovës ka kaluar në një formë mjaft të lartë në ndeshjet e fundit, duke aplikuar futboll mjaft atraktiv, por në dy ndeshjet e fundit fati nuk ishte në anën e saj.

Para kësaj ndeshje, lajmi.net ua përcjell statistikat e dy kombëtareve në pesë ndeshjet e fundit, për të parë se cila qëndron më mirë.

Kosova:

Kombëtarja e Kosovës në pesë ndeshjet e fundit regjistron tri barazime dhe dy fitore. Nga këto pesë ndeshja, njëra nga to ishte miqësore, kurse katër të tjerat zyrtare.

Në pesë ndeshjet e fundit, Dardanët kanë arritur që të shënojnë plot 13 gola, duke pësuar vetëm katër herë, shkruan lajmi.net.

Bullgaria:

Kundërshtari ynë për ndeshjen që luhet sonte qëndron diçka më dobët sesa kombëtarja jonë. Në pesë ndeshje, bullgarët regjistrojnë një humbje dhe katër barazime.

Në pesë ndeshje, Bullgaria ka shënuar po aq gola, pra nga një gol në secilën ndeshje, kurse ka pësuar një më shumë.

Në ndeshjen direkte të luajtur mes dy kombëtareve, në ‘Fadil Vokrri’, rezultati final ishte 1:1. Mbetet të shihet kujt do t’i takojë ndeshja që luhet sonte në Sofje, me fillim nga ora 20:45.