Bruksel, protestë me ‘tavaf’ kundër pengesave të Arabisë Saudite për shkuarje në haxh (foto)

Përmes një tavafi (rrotullim rreth Qabes) të improvizuar rreth një makete të Qabes, në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, u organizua protestë kundër “pengesave të Arabisë Saudite ndaj personave që dëshirojnë të shkojnë në haxh”, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 20 protestues nga vende të ndryshme muslimane, realizuan një tavaf të improvizuar rreth maketës e cila u vendos në sheshin simbolik Schuman, ku gjenden institucionet e Bashkimit Evropian.

“Protestuesit këtu janë shtetas të vendeve të ndryshme arabe që kundërshtojnë politikat e Arabisë Saudite”, tha për AA Muhammed Farah, anëtar i organizatës joqeveritare “Al Haramain Watch”, e cila organizoi protestën.

“Shkuarja jonë në haxh pengohet nga arsyeja se jemi disidentë. Haxhi nuk i përket princit të kurorës Muhammed bin Salman, por të gjithë muslimanëve. Ai nuk ka të drejtë të pengojë të drejtën e muslimanëve për të kryer ritet fetare”, shtoi Farah.