Britania kërkon nga Rusia që të merr përgjegjësi për rrëzimin e fluturimit MH17

Britania e Madhe ka përsëritur mbështetjen e saj për kërkesat ndaj qeverisë ruse për të “pranuar përgjegjësinë shtetërore për rrëzimin e fluturimit MH17”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i jashtëm britanik, Jeremy Hunt, nderoi viktimat në përvjetorin e pestë të rrëzimit të avionit të Malajzisë në Ukrainën lindore.

Sipas një deklarate të Zyrës së Jashtme dhe Komonuelthit, Hunt ka njoftuar se Britania e Madhe do të “sigurojë mbështetje financiare për gjykatën penale të specializuar në Hagë” dhe se Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështesë Ekipin e Përbashkët Hetimor (JIT) dhe Prokurorinë Kombëtare Holandeze”pas vendimit të tyre të fundit për të akuzuar katër persona për rrëzimin e MH17 dhe për vrasjen e 298 njerëzve në bord”.

Duke përshkruar incidentin si “një tragjedi e tmerrshme”, Hunt tha se, “Ne po japim një kontribut financiar prej 100.000 paundë për krijimin e gjykatës penale speciale në Hagë për të ndihmuar që familjet dhe miqtë e viktimave të marrin përgjigje dhe se ata që janë përgjegjës të japin llogari për këtë krim të tmerrshëm “.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Australinë dhe Holandën në thirrjet e tyre ndaj qeverisë ruse për të pranuar përgjegjësinë shtetërore për rrëzimin e fluturimit MH17”, tha Hunt.

“Është koha që Rusia të bashkëpunojë plotësisht me prokurorinë dhe në përputhje me rezolutën 2166 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të ofrojë çfarëdo ndihme që kërkohet”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Ministria e Jashtme e Eusisë mohoi akuzat për përfshirjen ushtarake për rrëzimin dhe incidentin e vitit 2014.

Nga ministria thanë se akuzat kundër Rusisë nuk shkaktojnë “asgjë tjetër, përpos keqardhjes”.

“Edhe një herë, pala ruse po u nënshtrohet akuzave absolutisht të pabaza që synojnë të diskreditojnë Federatën Ruse në sytë e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhej në një deklaratë.

JIT të mërkurën njoftoi se tre rusë dhe një ukrainas do të gjykohen për rrëzimin e fluturimit MH17 të Malaysian Airlines.

Avioni më 17 korrik të vitit 2014 u nis nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit për në Kuala Lumpur, por u rrëzua në afërsi të Torezit në zonën Donetsk të Ukrainës, 40 kilometra në afërsi të kufirit rus.

Si pasojë e rrëzimit të avionit humbën jetën 298 persona, nga të cilët 283 udhëtarë dhe 15 pjesëtarë të ekuipazhit.

Holanda, Australia, Belgjika, Malajzia dhe Ukraina janë pjesë e ekipit hetues.

Ukraina lindore është përfshirë nga konflikti pas aneksimit rus të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Separatistët pro-rus që jetojnë në rajonet Donetsk dhe Luhansk shpallën pavarësi, një lëvizje që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Turqinë.

JIT pretendon se një raketë BUK TELAR u përdor për të rrëzuar avionin nga Malajzia.

Sipas raportit të JIT, raketa kishte origjinë nga brigada e 53-të kundër-ajrore, një njësi e ushtrisë ruse që ndodhet në afërsi të kufirit me Ukrainën.

SHPËRNDAJE